Lakna Dëshmon Kundër ish-Inspektorëve

Qefsere Lakna, banore e “Lagjes së Spitalit”, ose “Mati 1” siç njihet tani, tha se jeta e familjes së saj është vështirësuar dukshëm si rezultat i një ndërtimi që është bërë pothuajse ngjitur me shtëpinë e saj.

Pikërisht, për ndërtime të tilla si kjo në “Mati 1”, 11 ish-zyrtarë të Komunës së Prishtinës po gjykohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Lakna që tha se jeton në shtëpinë e saj për më shumë se 20 vjet. Ajo tregoi se jeta e familjes është vështirësuar dukshëm pasi që në fillim të vitit 2012 filloi një ndërtim i lartë afër shtëpisë së saj.

“Ky objekt është i ndërtum është afër shtëpisë time me themel ndërsa ballkonet janë një metër larg shtëpisë time”, tha dëshmitarja.

Lakna tha se fatmirësisht nuk ka pasur reshje sepse do  të mund të rrezikohej.

Më tej dëshmitarja foli për shqetësimet që kishte familja e saj lidhur me ndërtimin që po bëhej afër shtëpisë së tyre. Tregoi se kishte shkuar disa herë në Komunë por nuk kishte arritur të kryente punë.

“Kur kemi dashur me bisedu në Komunë, punëtorët e Komunës janë përgjigjur se punëtorët, inspektorët janë në terren”, tha Qefsere Lakna.

Megjithatë, Lakna tha se në terren në lagjen e saj nuk kishte takuar ndonjëherë ndonjë inspektor.

Më tej, ajo tregoi se pasi kishte insistuar disa herë kishte arritur të takohej me drejtorin e Drejtorisë së Inspektoratit në atë kohë, Muhamet Gashin.

“Pasi kam insistuar disa herë, jam takuar me Muhamet Gashin dhe ai më ka thënë se ky objekt do të rrënohet”, tha Lakna.

Megjithatë, sipas saj, objekti jo që nuk u rrënua por në vjeshtën e vitit 2012 përfundoi, me plot shtatë kate.

Qefsere Lakna tha se ankesa kryesore e saj rreth objektit ishte afërsia e madhe me shtëpinë e saj. Se kjo afërsi nuk ishte e lejuar asaj ia kishte konfirmuar edhe një punëtore e Komunës.

“Florie Mazreku, nga Urbanizmi, më ka treguar se largësia e ndërtesës ishte dashur të jetë më e madhe se që është”, tha Lakna.

Po ashtu, dëshmitarja tha se pasi që objekti është bërë i banueshëm, po kanë vështirësi për të jetuar, pasi që po rrezikohen nga objektet që mund të bien nga ndërtesa.

“Ne po duhet të jetojmë në shtëpinë tonë me helmetë”, tha ajo.

Lakna u pyet edhe nga avokatët mbrojtës të të akuzuarve.

Avokati Ramiz Krasniqi e pyeti atë se a kishte ajo leje për shtëpinë e saj. Me këtë rast ndërsa prokurorja, e cila e kundërshtoi këtë pyetje.

Të akuzuar në këtë proces gjyqësor janë Ismet Haliti, Skender Canolli, Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj dhe Drita Rukiqi.

Sipas aktakuzës, kryeinspektori Ismet Haliti dhe të akuzuarit Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala dhe Granit Cenaj në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore janar 2010 – mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare, duke mos i parandaluar dhe duke mos i ndërprerë ndërtimet kundërligjore.

Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm rreth akuzave.

Prokuroria po ashtu pretendon se të akuzuarit nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin  e objekteve që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në territorin e Komunës së Prishtinës, duke vepruar si grup kriminal, i cili e ka shfrytëzuar pozitën zyrtare për kryerjen e veprave penale.

KALLXO.com ka përcjellë në vazhdimësi procesin gjyqësor ndaj ish-zyrtarëve komunalë të Prishtinës.

Ish-Zyrtarët Komunalë të Prishtinës Deklarohen të Pafajshëm

Avokatët e ish-Inspektorëve të Prishtinës Kundërshtojnë Aktakuzën

 

Sveçla Dëshmitar në Gjykimin e ish-Inspektorëve