Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Labinotë Demi-Murtezi - Foto: Facebook

Labinotë Demi-Murtezi Largohet nga Partia e Drejtësisë

Largimin nga PD, Demi-Murtezi e ka bërë publike në profilin e saj në “Facebook”.

“Më lejoni t’ju njoftoj se nga mbrëmë unë më nuk jam pjesë e strukturave udhëheqëse të Partisë së Drejtësisë. Zhvillimet e shumta në kundërshtim me statutin e partisë, mos pajtueshmëria në shumë pika të organizimit të brendshëm deri në situata të papërballueshme të një komunikimi të ulët, ishin të patejkalueshme për mua me ç ‘rast edhe u detyrova të distancohem nga ajo mënyrë e menaxhimit të partisë”, tha Labinotë Demi-Murtezi.

Në Partinë e Drejtësisë ajo ishte për gjashtë vjet radhazi, ndërsa edhe pas largimit nga ky subjekt politik ajo premton se do të japë kontribut në politikë.

“Do të vazhdoj të jap kontributin tim edhe politik, me shpresë se një ditë Partia e Drejtësisë do të frymojë e lirë në kuptimin e plotë të fjalës mbi bazën statutore që ka, me mundësi të një hapësire edhe më të madhe për demokraci brenda-partiake”, tha ajo.

Ish-deputetja nga Gjilani falënderoi mbështetësit e saj ndërsa ka kërkuar nga ta që të vazhdojnë të punojnë aty ku sipas saj i shohin vlerat reale dhe përkushtimin e madh për vendin.

“Shoqëria jonë ka shumë nevojë për kristalizimin dhe reflektimin publik të vlerave të saj, në dobi të organizimit më të mirë të jetës shoqërore e politike”, tha Demi-Murtezi.

Labinotë Demi- Murtezi ishte e vetmja deputete e mbuluar në Kuvendin e Kosovës.