Notre-Dame - Foto: RTK

Labinot Tahiri ndan 1 mijë euro për rindërtimin e katedrales 'Notre Dame'

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Labinot Tahiri ka vendosur që të ndaj shumën prej 1 mijë eurove për katedralen ‘Notre Dame’ në Paris të Francës.

Ai ka shkruar në rrjetin social Facebook se këtë shumë do ta ndajë nga paga e tij, pavarësisht se ‘nuk qëndron më me financa si më parë’, meqenëse më nuk mund të punojë jashtë vendit pas dorëzimit të pasaportave.

“Prapë, jam i gatshëm sado pak të jap nga vetja ime, si një djalë i një nane dhe djalë i babasë, kur ata ishin në gjendje të rëndë së bashku me vajzën Anduenën dhe djalin Milotin gjatë luftës! Duke mos harruar kurrë, Franca e dashur, dhe qyteti Amien’s, i strehoi duke ua mundësuar bukën, fjetjen sigurinë dhe gjithçka të mirë që kishin deri në ditët që u kthyen në Kosovën e Lirë”, ka shkruar Tahiri.

Tutje deputeti ka deklaruar se këtë vendim e ka marrë si ‘qytetarë i ri i këtij atdheu, humanitar, këngëtarë, e tani deputet i zgjedhur nga dora e 20 mijë të rinjve e të rejave në Parlamentin e Kosovës’.

“Dua të ndaj nga paga ime mujore, 1000 euro për rastin e Notre Dame! Këto nuk janë shumë, por zemra ime i është mirënjohës kësaj Kosove e shqiptarëve, që ma mundësojnë, ku sot e kam mundësinë së paku një mirësi ta bëjë si shenjë mirënjohjeje për prindërit dhe familjen time dhe shumë familje që u ndihmoi SHTETI FRANCEZ”, ka shkruar tutje ai.

Tahiri gjithashtu ka aluduar se do të pranojë kritika nga besimtarët e feve të tjera në vend.

“Polemikat se ku bën të bëhet mirë apo keq, i di vetëm KRIJUESI YNË ZOTI. Prandaj, kujtojeni ditën e vështirë, ani që sot nuk kemi luftë, mund të kemi prapë. Faleminderit FRANCË. Zoti ju bekoftë juve dhe ata që i duan shqiptarët. Labinot Tahiri, Ferizaj Kosovë e Shqipërisë”, përfundon deputeti Tahiri.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 20 mijë euro për rindërtimin e katedrales Notre-Dame. Kurse Shqipëria ka ndarë 100 mijë euro për rindërtimin e katedrales.

Reagime e polemika të shumta pati mes deputetëve të cilët kritikuan Haradinajn për këtë vendim.

Katedralja Notre Dame në Paris u përfshi nga zjarri më 15 prill, dyshohet se zjarri ishte shkaktuar aksidentalisht.