‘Lab-Oil’, kompania ku vdiq 22 vjeçari gjobitet me 9 mijë e 500 euro

Kompania e derivateve “Lab- Oil” është dënuar me 9 mijë e 500 euro nga Inspektorati i Punës.

KALLXO.com merr vesh se kompania “Lab- Oil” u gjobit për pesë shkeljet që ditë më parë Inspektorati i Punës i publikoi në raportin për hetimet e vdekjes së 22 vjeçarit nga Mushtishti i Suharekës, Krenar Jemini në vendin e tij të punës.

“Lab- Oil” u gjobitë me 1 mijë euro për cenimin e dispozitës së Nenit të 11-tw, paragrafi 3 i Ligjit të Punës për Përmbajtjen e Kontratës së Punës.

Kompania e derivateve të naftës u dënua edhe për trajtimin e punëtorëve nga neni 20 i Ligjit për Shëndet dhe Siguri në punë me gjobë prej 3 mijë euro.

Ndërsa, me 2 mijë euro të tjera është dënuar për nenin 14 të Ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë që parasheh Përdorimin e mjeteve të punës dhe pajisjeve mbrojtëse individuale gjatë procesit të punës.

Sipas Inspektoratit të Punës “Lab Oil” është përgjegjës edhe për mos ofrimin e sigurisë në vendin e punës.

Kështu, kompania u dënua me 2 mijë euro edhe për cenimin e dispozitës së nenit 16 të Ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë.

Poashtu, me 1 mijë e 500 euro kompania u dënua për mos kryerjen e kontrollimeve mjekësore të punonjësit.

Gjithsej gjoba e shqyrtuar nga Inspektorati i Punës për kompaninë është 9 mijë e 500 euro. “Lab- Oil” obligohet që brenda tetë dite ta bëjë pagesën e gjobës.

Ndaj këtij vendimi të Inspektoratit të Punës ka reaguar kompania “Lab- Oil”.

Në një përgjigje të shkurtër për KALLXO.com, Bislim Muqaj ka pranuar se kompania është gjobitur nga trupa inspektuese e Inspektoratit të Punës, ndërsa ka thënë se nuk janë pajtuar me vendimin e Inspektoratit.

“Po, kemi parashtruar ankesë, mirëpo hëpërhë, derisa të merr formën e prerë nuk dua të flas për shifra. Mendoj se nuk është relevante”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Në anën tjetër, kryeinspektori Basri Ibrahimi, nuk ka dashur të flas për dënimin që Inspektorati i Punës ka shqiptuar ndaj kompaninë “Lab- Oil”.

“Inspektori ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore që i keni parë në raport”, ka thënë ai shkurt për KALLXO.com.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për vdekjen e 22 vjeçarit në vendin e tij të punës.

Ndërsa, ditë më parë, Inspektorati i Punës doli edhe me raportin mbi inspektimet në vendin ku vdiq Krenar Jemini.