Pika Kufitare Vërmicë

Kuvendi vendos për kufij të hapur mes Kosovës dhe Shqipërisë

Kuvendi i Kosovës me 73 vota për ka miratuar propozim-rezolutën për hapjen e tërësishme të kontrollit për hyrje/daljet e shtetasve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikave të kalimit kufitar në Vërmicë, Qafë Prush dhe Qafë Morinë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli këtë propozim e quajti bashkim kombëtar.

“ Edhe unë jam për bashkim kombëtar”, tha shkurt Veseli gjatë votimit të kësaj rezolute.

Propozuesi i kësaj rezolute Dardan Molliqaj nga PSD-ja, tha se hapja e kufijve mes Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë ka përparësitë e saja për qytetarët e dy shteteve.

“ Hapja e Kufijve mes Kosovës dhe Shqipërisë  do ti eliminonte të gjitha vështirësitë dhe pengesat administrative me të cilat ballafaqohen qytetarët  e të dyja vendeve. Konsiderojmë që hapja e kufijve nuk i zhvillon krimet trans nacionale të të dyja shteteve, ua sigurojnë qytetarëve kohë, dhe nuk rrezikohen prej ndonjë vale të refugjatëve”, tha Molliqaj.

Në mbështetje të kësaj rezolute ka dal edhe Partia Demokratike e Kosovës.

“Ne e mbështesim këtë rezolutë, unë mendoj që populli ynë ka bërë një luftë të jashtëzakonshme edhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për ti hequr këto pika kufitare, prandaj ne e mbështesim këtë rezolutë”, tha deputeti Nait Hasani.

Por ndryshe nga ta, deputetët e LDK-së, Armend Zemaj dhe Arben Gashi kanë kërkuar harmonizim të kësaj Rezolute për shkak se Kosova ndodhet në proces të liberalizimit të vizave.

“Ky kontroll  i kufijve është rikthyer në vitin 2016 për shkak të procesit të liberalizimit të vizave që po kalon Republika e Kosovës. Tash nuk e di se si e keni shpjeguar  kur BE-ja ka kërkuar vëzhgim më të rrept midis kufijve të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë”, tha Zemaj.

E më i ashpër në qëndrimin e tij, ishte deputeti i NISMA Socialdemokrate, Milaim Zeka, i cili tha se propozimi për hapje të kufijve me Shqipërinë është për përfitime patriotike.

“Arsyeja pse dola në foltore është kjo. Jemi në vitin 2018 edhe po shesim patriotizëm banal. Kush me i kallxu kujt kush është ma patriot. Krejt ky diskutim për mendimin tim është diskutim koti. Sepse kjo është një ekskluzivitet mes Brukselit, qeverisë Haradinaj dhe qeverisë Rama. Nuk është punë e jona me u hap a me u mbyll kufiri”, tha Zeka.