Kuvendi i Kosovës - Foto: KALLXO.com

Kuvendi Vendos për Demarkacionin, Gjykata e Apelit për Aktivistët e VV-së

658 ditë, apo 1 vit e 9 muaj më parë, në natën e 4 gushtit të vitit 2016, ndërtesa e Kuvendit të Kosovës u godit me anti-tank.

Prokuroria pretendon se ky sulm u krye nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosjes për të parandaluar Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

Për këtë sulm 4 aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje u dënuan me rreth 21 vjet burg. I pesti vdiq në rrethana misterioze në paraburgim ndërsa Marrëveshja e Demarkacionit nuk është miratuar ende.

Fati i Atdhe Arifit, Frashër Krasniqit, Adea Batushës, Egzon Halitit dhe të ndjerit  Astrit Deharit, duket pashmangshëm i lidhur me Marrëveshjen e Demarkacionit, Marrëveshje kjo që sipas subjektit politik që i takojnë i humb Kosovës mijëra hektarë tokë.

Nesër, më 22 shkurt 2018, Marrëveshja (së bashku me një deklaratë) pritet të votohen në Kuvendin e Kosovës e për rastësi në po të njëjtën ditë, Gjykata e Apelit do të shpallë aktgjykimin ndaj katër aktivistëve të VV-së.

Më 17 nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte gjetur fajtorë dhe dënuar me 21 vjet burg aktivistët e Vetëvendosjes.

https://kallxo.com/21-vjet-e-gjysme-burg-per-aktivistet-e-vv-se/

Atdhe Arifi ishte  dënuar me 6 vjet burg, Frashër Krasniqi me 8 vjet, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë ndërsa Adea Batusha me 2 vjet burg. Përderisa Adea është në liri, të akuzuarit e tjerë janë në paraburgim.

Të katër të akuzuarit, së bashku me tani të ndjerin, Astrit Dehari, akuzoheshin se kryen sulmin në Kuvend në përpjekje për të parandaluar kalimin e Marrëveshjes së Demarkacionit.

Të gjithë të akuzuarit me këmbëngulësi janë deklaruar të pafajshëm teksa e kanë quajtur montim rastin ndaj tyre.

Në anën tjetër, Marrëveshja e Demarkacionit për gati tre vjet është kryefjala e diskutimeve në vend dhe kushti kryesor për liberalizim të vizave.

Marrëveshja e Demarkacionit ka shkaktuar përplasje të ashpra politike me partitë dikur në opozitë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën që së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje e kundërshtuan fuqishëm, duke pretenduar se Kosova po humbë territor në njërën anë dhe me Partinë Demokratike dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës që mbështesnin kalimin e saj.

Edhe ndërrimet që AAK-në e Nismën e sollën në pushtet e LDK-në në opozitë nuk e ndryshuan shumë gjendjen dhe u desh një ide nga zv.Kryeministri Fatmir Limaj dhe një deklaratë e përbashkët e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij malazez, Filip Vujanoviq, që parasheh që pas ratifikimit të mund të bëhen korrigjime eventuale në Marrëveshje.

Të dyja këto ngjarje shumë të lidhura nesër do të marrin përgjigje.

Aktivistët do të paraqiten para Gjykatës së Apelit për të kërkuar pafajësinë e tyre ndërsa Marrëveshja e Demarkacionit do të hidhet në votim në Kuvendin e Kosovës.