Mimoza Kusari- Lila, deputete

Kuvendi u jep kohë për harmonizim rekomandimeve të Mimoza Kusari Lilës

Kuvendi i Kosovës ka filluar me vazhdimin e seancës plenare me 4 pika që kanë mbet për t`u votuar.

Në rend dite është votimi i rekomandimeve nga Interpelanca me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës nr.02/34, të datës 05 mars 2018, për ndarjen e mjeteve financiare në shumën prej një milion euro për KOSTT-in, për mbulimin e shpenzimeve të furnizimit me energji elektrike të katër komunave në veri të Kosovës.

Mimoza Kusari Lila, i ka lexuar disa rekomandime, ndër to janë: Obligohet qeveria në afat prej 1 muaji të vij me zgjidhje për situatën e krijuar, të ndalen inkasimet ilegale për rrymën e faturuar në veri, KEDS të filloj faturimin për gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, duke i trajtuar qytetarët pa dallime.

Muharrem Nitaj, tha se ka nevojë për qartësi të këtyre rekomandimeve duke iu referuar rekomandimit të parë që brenda afatit një muajsh të bëhet një zgjidhje. Kjo sipas tij është dëshirë e pa realizuar.

“Kjo mund të jetë një dëshirë por është e pa realizueshme pasi qeveria e ka të pamundur që për një muaj ta kryej këtë obligim. Gjithashtu, ka pas qëndrim të kryeministrit Haradinaj që do të kushtëzohet dialogu me zbatimin e marrëveshjes në fushën e elektroenergjetikës”, tha ai.

Memli Krasniqi, shtoi se kanë deficite të mëdha këto rekomandime.

“Kjo është rezolutë e pa implementueshme. Me rezoluta të tilla po ia bëjmë qejfin vetës dhe ta qesim në pozitë të vështirë qeverinë. Qe 18 vite nuk janë realizuar gjërat që rezoluta kërkon të kryhen për një muaj”, u shpreh Krasniqi.

Bilall Sherifi tha se janë të hapur për riharmonizim.

“Ftoj që edhe një herë t`i japin hapësirë harmonizimit të kësaj”, tha Sherifi.

E Glauk konjufca kishte vërejtje si po i koncepton mazhoranca rezolutat.

“Rezolutat janë për me përmirësuar gjendjen ekzistuese”, u shpreh Konjufca.

Mimoza Kusari Lila tha se ideja është që kuvendi ta nxjerr një dokument që ta fuqizoj qeverinë në raport me dialogun me Serbinë.

“Nëse pajtohen edhe një herë gjithë përfaqësuesit të takohemi tash dhe tja kthejmë kuvendit tekstin që e konsiderojnë të jetë i pranueshëm për gjitha grupet”, tha ajo.

Kadri Veseli propozoi që të futet në votim kjo pikë duke thënë se qe 18 vite njëjtë situata është edhe me ujin.