Kuvendi Pritet ta Prishë ‘Pushimin’

Referuar faqes zyrtare të Kuvendit, janë përcaktuar pikat e rendit të ditës për të cilat Kryesia do të mblidhet më 25 prill në orën 13:00.

Shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike për Vitin 2014 është njëra ndër 14 pikat në këtë rend dite.

Po ashtu në seancën e radhës deputetët pritet të shqyrtojnë raportet e dy komisioneve, atij për integrime dhe komisionit për arsim. Kuvendi do të bëjë edhe shqyrtimin e tri projektligjeve.

Në seancën që do të caktohet të hënën, pesë pikat e fundit janë të rezervuara për zgjedhjen e anëtarëve në disa borde, atë të RTK-së, KPM-së, KPK-së,  Bordin Këshillëdhënës për Mbrojtjen e Mjedisit, si dhe pritet të zgjidhet drejtori dhe zëvendësdrejtori i  Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit.

Seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës ishte mbajtur më 7 prill, e cila ishte seancë solemne e në të cilën u betua Presidenti i zgjedhur Hashim Thaci.

Këtë seancë e bojkotuan të gjithë deputetët e opozitës dhe disa deputetë të partive në pushtet.

Nga janari deri te seanca e 7 prillit Kuvendi ka mbajtur vetëm 7 seanca, pesë nga to kanë qenë plenare e dy solemne.