Kuvendi i Kosovës - Foto: KALLXO.com

Kuvendi i Papërgatitur për ‘Investimet Strategjike’

Kuvendi i Kosovës ka shtyrë për seancën e ardhshme tri pikat kryesore të rendit të ditës.

Vendimi u mor pas kërkesës së shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri.

“Unë kërkoj në emër të grupit parlamentar të LDK-së që pika 5, votimi i Projektligjit për Investime Strategjike dhe pika 8 e 9 të rendit të ditës të tërhiqen/shtyhen për seancën tjetër”, kërkoi Beqiri.

Me kërkesën e shefit të grupit parlamentar të LDK-së u pajtua edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti.

“Grupi parlamentar i PDK-së pajtohet që këto pika të shtyhen e Qeveria të bjerë informata shtesë”, tha Pajaziti.

“Mirë që po shtyhen këto ligje, po ish konë mirë me u pezullu krejt. Sidomos kjo për thëngjillin, për të cilën deputetë s’e kanë pasë idenë çka është…”, ka thënë ndërkaq shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.

Shtyrjen e Projektligjit për Investime Strategjike nuk e kishin paraparë dje PDK dhe LDK.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hikmete Bajrami, së bashku me shefin e grupit parlamentar të PDK-së, kanë deklaruar për KALLXO.com se besojnë se gjatë seancës së sotme do të kalonte ky projektligj.

http://kallxo.com/projektligji-qe-lekundi-koalicionin-kthehet-ne-kuvend/