Kuvendi i Kosovës - Foto: Atdhe Mulla

Kuvendi pa kuorum për t’i votuar risitë e Projektligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur që t’i siguroj votat për shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa tha se risi në Projektligj janë ndryshimet për mes së cilave është ristrukturuar forma e funksionimit të brendshëm të Gjykatës, duke shuar kolegjet e specializuara në shkallë të parë dhe kalimin e kompetencave të një gjyqtar i vetëm.

“Është shuar pozita e kryetarit të dhomës së posaçme duke i kalu ato kompetenca kryetarit të gjykatës supreme”, tha Beqa.

Sipas tij arsye e shqyrtimit të këtij Projektligji është ndryshimi i mandatit të misionit të EULEX-it.

“Miratimi i këtij ligji është progres i marrjes së përgjegjësive nga institucionet vendore. Është më shumë se esenciale që Kuvendi ta votojë këtë ligj”, tha Beqa.

Edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, kërkoi që të votohet ky Projektligj dhe t’i hapin rrugën Dhomës së Posaçme që është jo funksionale sipas tij gati qe një vit.

“Kjo Dhomë e Posaçme në kuadër të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit është jo funksionale nga qershori i vitit të kaluar, që nga përfundimi i mandatit të EULEX-it. Janë rreth 22 mijë lëndë që janë të pazgjidhura dhe kryesisht janë para të punëtorëve të cilët presin 20 përqindëshin e ndërmarrjeve të privatizuara gjatë viteve të fundit”, tha Tahiri.

Por, për tu votuar ky projektligj në Kuvend nuk kishte kuorum. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se në sallë janë vetëm 49 deputetë.

“Vetëm 49 deputetë janë në sallë. Nuk ka kushte për votim”, tha Veseli.