Takimi i Komisionit për Punë të Jashtme dhe KDI-së me kryetarët e komisioneve parlamentare -Foto: KALLXO.com

Kuvendi Nuk Mund ta Mbikëqyrë Dialogun Nëse Ai Udhëhiqet nga Presidenti

Kryetarët e komisioneve parlamentare kanë vlerësuar se roli i Kuvendit në dialogun Kosovë-Serbi është esencial.

Mirëpo, nëse presidenti i Kosovës e udhëheq këtë dialog, ne si Kuvend nuk mund ta mbikëqyrim, thanë ata në takimin e organizuar nga Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike në bashkëpunim me Institutin Demokratik të Kosovës.

Prandaj, propozuan ata, në mënyrë që Kuvendi të involvohet duhet të diskutojnë për një draftrezolutë të re.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani tha se duhet shikuar modele ndërkombëtare ku ministrat para se të nënshkruajnë marrëveshje që kanë karakter ndërkombëtar duhet te konsultohen me komisione.

Jeta Krasniqi, përfaqësuese e KDi-së, tha se nga fillimi i procesit të dialogut Kosovë-Serbi kanë thënë se ky proces është procesi më i mbyllur. “Ne dimë që ka marrëveshje por pak dimë për to”, tha ajo.

“Ne e dimë që tashmë jemi në fazën e tretë dhe përfundimtare të këtij procesi dhe nuk e dimë cilat janë temat, çka do të diskutohet, por e dimë që Kuvendi duhet të ketë rolin e tij”, theksoi Krasniqi.

Po ashtu, përfaqësuesja e KDI-së tha se në takimin e fundit kanë rënë dakord që të bëhet riformatimi dhe ristrukturimi i dialogut dhe të futen tema të reja si dëmet e luftës, krimet e luftës, dhunimet e luftës.

Ndërsa, Lumir Abdixhiku nga Komisioni për Buxhet dhe Financa tha se në këtë fazë të gjithë pajtohen se roli i Kuvendit është esencial.

“Ne do të trajtojmë dhe do ta fusim në kalendarin tonë si Komision për fondin e veriut dhe ftojmë edhe KDI në të na ndihmojmë. Do të shohim të flasim edhe me banorët e veriut,  organizatat e veriut etj”, shtoi Abdixhiku, duke theksuar se të gjitha marrëveshjet e ardhshme do të tentojnë t’i trajtojnë në Komision.

E Albulena Haxhiu nga Komisioni për Legjislacion tha se nuk e kanë ditur as çfarë paraqet faza e parë dhe faza e dytë e dialogut sepse përfaqësuesit e Kosovës nuk kanë qenë të hapur dhe as të përgatitur.

“Desha të ndalem te Marrëveshja për Drejtësi. Ne së fundmi ishim dëshmitarë të dekretimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë. Kam marrë dokumente nga Presidenti dhe besoni që ata nuk janë betuar në përputhje me Kushtetutën e Republikës sepse nuk përmban as logon dhe asgjë tjetër”, theksoi Haxhiu.

Nuk mund të hyjmë ne fazë të re pa pasur vlerësim të çdo marrëveshje që është nënshkruar në Bruksel, shtoi ajo.

“Unë jam e pajtimit të bëhet një komision ad hoc për rivlerësim të asaj që është arritur ne Bruksel”, vlerësoi Albulena Haxhiu.

Ndërsa, Blerta Deliu tha se çështja e dialogut është e lidhur ngushtë me BE-në.

“Ne si Komision për Integrime po i shohim këto marrëveshje. Një transparencë dhe një rikthim i vëmendjes do t’i kontribuonte Kuvendit. Nuk mund të them që procesi ka qenë i mbyllur. Ka nevojë për transparencë. Ka pasur ngecje në të kaluarën dhe jemi të vetëdijshëm”, shtoi ajo.

Kurse, Besa Baftiu tha se e di më 2011 kur kanë filluar bisedimet me Serbinë së pari ka nisur ky proces e më pas është diskutuar në Kuvend.

“Fatkeqësisht ne po diskutojmë për mënyrën e dialogut ndërsa ne kemi informata që në veri të Mitrovicës  po bëhet transformimi i sistemit të shëndetësisë”, theksoi kryetarja e Komisioni për Shëndetësi.

E Ismajl Kurteshi, kryetar i Komisionit për Arsim, tha se gjatë këtyre viteve të dialogut Kuvendi është injoruar për ta kryer rolin e vet.

Kurteshi tha se efekt i dialogut në vend të integrimit po ndodh dezintegrimi.

“Pa vlerësimin e dialogut ne nuk mund të hyjmë në fazën e re të dialogut sepse ne gabojmë… Mendoj që dialogun duhet ta bëjmë pas njohjes së Kosovës nga Serbia që të kemi një reciprocitet në dialog”, shtoi ai.