Kuvendi miraton raportin e Komisionit Parlamentar për dëbimin e 6 shtetasve turq

Kuvendi i Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme sot e ka miratuar Raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq me datën 29 mars 2018.

Raporti u miratua me 59 vota për, 2 kundër dhe 4 abstenime.

“64 deputetë kanë votuar në mënyrë elektronike, 1 me dorë 65, 59 për, 2 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi e miratoi raportin përfundimtar të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq me datën 29 mars 2018. Me këtë mbylli punimet e kësaj seance, mirupafshim”, tha nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala.

Parapraktisht, shefat e grupeve parlamentare dhanë qëndrimet e tyre për raportin në fjalë.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca në seancën ku është diskutuar për raportin e komisionit hetimor për depërtimin e gjashtë shtetase turq në mars të vitit të kaluar, tha se institucionet e drejtësisë kanë shumë material relevant për trajtimin e saj.

Konjfuca shtoi se gjykatat duhet të vërtetojnë implikimin e ish-shefit të AKI-së Driton Gashi dhe presidentit Hashim Thaçi në këtë rast.

“Sa I përket përgjegjësisë e vetmja mendoj që ka mbetur të vërtetohet, prej institucioneve tona të gjyqësisë është kjo: A e ka thirr Hashim Thaçi Driton Gashin edhe ja ka dhënë urdhrin apo Driton Gashi e ka bërë këtë ngjarje krye në vete. Ky raport që do të votohet sot është edhe një test për drejtësinë, sepse aty ka material relevant për ndonjë prokuror të guximshëm I cili ende nuk e di a ekziston në Kosovë”, tha Konjufca.

Kurese, në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së foli deputeti, Muharrem Nitaj i cili tha se deputetët e partisë së tij do ta votojnë këtë raport, por shtoi se pretendimet e deputetëve se presidenti Hashim Thaçi është prapa këtij operacioni janë vetëm qëndrime personale.

“31 shkeljet që janë evidentuar në raportin që po e votojmë sot janë argumentuar në komision një për një dhe janë tepër të qëndrueshme dhe kush ka qenë i informuar për këtë operacion dhe kush e ka dit dhe kush se ka ditë dhe kush ka qenë urdhëdhënësi ose mbas gjithë kësaj është presidenti Hashim Thaci, ne nuk e dijmë por duhet ta pranojmë që të gjithë këto që komisioni hetimor nuk ka arritur të argumentojë asnjë prej këtyre pretendimeve dhe deklaratat se kush është urdhërdhënësi, ato janë observime individuale dhe s’janë pjesë të raportit”, tha Nitaj.

Ndërkaq, deputeti Frashër Krasniqi në emër të Partisë Socialdemorkate (PSD), tha se me 28 mars të vitit 2018 në emër të ruajtjes së sigurisë kombëtare në Kosovë u krijua një precedent i rrezikshëm i pasigurisë juridike dhe njerëzore.

“Tash e disa muaj raporti është në publik dhe kurrfarë rreziku nuk pat Kosova, kurrfarë dëmi. Pse gjithë kjo zhurmë për publikimin  e këtij raporti pse gjithë ky shqetësim që publiku me kuptu të vërtetën për këtë proces”, tha deputeti Krasniqi, duke shtuar se raporti duhej votohej nga kolegët e tij.

Në anën tjetër, deputeti Haxhi Shala në emër të Nismës Socialdemokrate tha se në Komision janë munduar ta bëjnë punën si duhet dhe të zbardhet dëbimi i 6 shtetasve turq.

“Prokuroria e gjykata nuk janë të përfshira në këtë proces, këtë e vërteton edhe raporti. Ky raporton as nuk konstaton e dhe as nuk vërteton vlerësimin e AKI-së se personat në fjalë paraqesin rrezik për sigurinë”, tha ai, duke shtuar se Nisma përkrahë raportin në fjalë.

Kurse, deputeti Fikrim Damka nga grupi parlamnetar 6+, ka kërkuar sqarime nga ana e iniciuesve se pse është mbajtur me kaq urgjencë kjo seancë e Kuvendit.

“Kam një pyetje për inciaciotrët e kësaj seance a mos jemi në ndonjë gjendje të jashtëzakonshme pse jemi të ulur sot me kaq urgjencë, seanca e ngutshme e sotme mu dok sikur jemi në gjendje lufte me ndonjë shtet armik të madh”, tha deputeti.

Me 15 maj 2019 ,me 7 vota për Komisioni Hetimor Parlamentar për dëbimin e 6 shtetasve turq në mars të vitit të kaluar, ka miratuar raportin e punës së tij, raport ky i cili është nxjerr nga intervistat që Komisioni i ka bërë me akterët e përfshirë në këtë deportim.

Që nga 29 marsi i vitit të kaluar familjarët e gjashtë shtetasve turq dhe opinioni në Kosovë e më gjerë nuk kanë asnjë informacion se nga kush erdhi urdhri për deportimin e tyre nga autoritet kosovare drejt Turqisë.

Hasan Hysein Gunakan, Karhaman Demirez, Mustafa Erdem, Yusuf Karabina, Osman Karakaya si dhe Cihan Ozkan në mëngjesin e 29 marsit u arrestuan nga institucionet e Kosovës dhe u deportuan për të Turqi.

Ata janë të akuzuar për lidhje me Fetullah Gylen, njeriun të cilin Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan thotë se qëndron pas grushtshtetit të dështuar në vitin 2016.

Deputetët sytë kah prokuroria e gishtin kah Presidenti për deportimin e gylenistëve