Kuvendi miraton një sërë projektligjesh për kulturë dhe sport

Kuvendi i Kosovës sot ka vazhduar seancat plenare të papërfunduara të datave  18, 19 dhe 25 tetor 2018.

Në këtë seancë, deputetët miratuan një numër të konsiderueshëm të pikave, ndërsa disa të tjera u shtynë për seanca të radhës.

Në këtë seancë sot Kuvendi nuk e ka miratuar votimin në parim të Projektligjit për transmetuesin publik të Kosovës.

Ndërkaq, legjislativi ka miratuar këto projektligje: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kinematografinë, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, është votuar në parim edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për bibliotekat.

Ndërsa, pika 6 e kësaj seance për votimin në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Trashëgiminë Kulturore, nuk është përmendur nga kryesuesi i Kuvendit.

Kuvendi në vazhdim ka miratuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.

Kuvendi ka miratuar edhe 13 projektligje sipas rendit të ditës së kësaj seance.

Ndërsa, sa i përket votimit për shkarkimin e Shqiprim Pula nga pozita e anëtarit të Bordit të Autoritetit Rregullator të komunikimeve elektronike dhe postare, votimi është shtyrë për ndonjë seancë tjetër, sipas nënkryetari Xhavit Haliti.