Foto: Facebook

Kuvendi me Dinamikë të Ulët të Punës gjatë Vitit 2015

Kuvendi i Kosovës është karakterizuar nga konflikti mes pozitës dhe opozitës, u tha sot në prezantimin e raportit të monitorimit të punës së Kuvendit për vitin e kaluar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Albert Krasniqi, menaxher i projektit “Raporti i Monitorimit të Kuvendit për vitin 2015”, tha se tremujori i parë i punës së Kuvendit është shoqëruar me dinamikë jashtëzakonisht të ulët të punës, me vetëm një projektligj të miratuar.

“Kjo dinamikë e ulët i atribuohet Qeverisë, pasi nuk e kishte sjellë fare në Kuvend agjendën legjislative në këtë periudhë”, theksoi ai.

Ndërkohë, sipas tij, në pjesën e dytë të sesionit pranveror, Kuvendi ka intensifikuar dinamikën, duke arritur të miratojë në lexim të dytë 16 projektligje, përderisa 25 projektligje të tjera ishin në procedurë të komisioneve parlamentare.

“Për afër tre muaj, të gjitha punimet e Kuvendit janë bojkotuar nga deputetet e Listës Serbe, nga data 3 shkurt deri më 27 prill, si shenjë kundërshtimi ndaj Qeverisë për shkarkimin e shefit të tyre Aleksandar Jabllanoviq”, shpjegoi Krasniqi.

Ai gjithashtu foli edhe për shpenzimet ku tha që Kuvendi ka shpenzuar 152,008,50 euro për udhëtime jashtë vendit dhe 6,250,642 për paga dhe mëditje.

Ndërsa, Blerim Grainca, deputet nga radhët e LDK-së, tha se është e nevojshme dhe duhet të monitorohet puna e deputetëve.

“Ju inkurajoj që gjatë monitorimit të ardhshëm të monitoroni edhe punën e deputeteve, jo vetëm në aspektin e pjesëmarrjes në takime por edhe në kohëzgjatjen e pjesëmarrjes së tyre dhe me temat që kanë ngritur”, theksoi ai.

Ndërkohë, sipas Raportit, gjatë vitit 2015 Kuvendi ka miratuar vetëm 47 ligje, 23 kanë mbetur në procedim dhe 67 ligje nuk kanë hyrë fare në procedim.