Kuvendi i Kosovës - Foto: KALLXO.com
Kuvendi Kujton Referendumin për Pavarësi të Vitit 1991
Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës ka filluar me një deklaratë të lexuar nga nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, rreth referendumit të kosovarëve për pavarësi të mbajtur prej 26 deri më 30 shtator 1991.
Referendumi i cili qe mbajtur në rrethana të jashtëzakonshme, konfirmoi vullnetin e qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur, pas shpërbërjes së ish federatës jugosllave.
Sabri Hamiti, në deklaratën e tij tha se ky referendum “vërtetoi e legjitimoi Deklaratën e 2 Korrikut 1990 dhe shpalljen e pavarësisë të 7 shtatorit 1990”.
Me një pjesëmarrje masive prej 99.87 përqind të qytetarëve në referendum, rreth 90 përqind e tyre votuan “PËR” Kosovën shtet të pavarur.
“Referendumi me organizimin e pashoq konfirmoi vullnetin e popullit për liri e pavarësi por edhe përcaktimin për demokraci përfaqësuese. Prijësi historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, duke u bërë president me votë të drejtpërdrejtë, e udhëhoqi me urti popullin drejt lirisë e pavarësisë”, tha Hamiti.