Kuvendi ka miratuar 34 ligje pa u konsultuar me publikun

Që nga fillimi legjislaturës aktuale, Kuvendi i Kosovës ka miratuar 64 ligje, në të cilat vetëm 8 prej tyre ka mbajtur dëgjime publike, ndërsa 34 ligje të tjera janë shqyrtuar dhe miratuar pa konsultim me publikun.

Kështu është thënë në një analizë të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI).

Sipas KDI-së në këto ligje të miratuara në kuadër të këtyre projektligjeve përjashtohen 22 marrëveshjeve ndërkombëtare, pasi shqyrtimi i tyre rregullohet me ligj të veçantë.

“Dëgjimet publike janë mekanizëm me anë të secilës Komisioneve Parlamentare u mundësohet të marrin informata dhe ekspertizë nga grupet e shoqërisë civile, grupeve të caktuara të interesit apo edhe vetë qytetarët lidhur me projektligjet të cilat janë në shqyrtim e sipër”, është thënë në analizë.

Sipas KDI-së, komisionet parlamentare do të duhej që për secilin projektligj që bie në fushë veprimtarinë e tyre, të organizojnë dëgjime publike me qëllim të përfshirjes dhe konsultimit të një numri sa më të madh të akterëve në procesin legjislativ.

“Përveç projektligjeve, komisionet mund të organizojnë dëgjime publike edhe për çështje të tjera. Mungesa e konsultimeve publike dhe përfshirjes më të gjerë të akterëve gjatë procesit legjislativ është kritikuar vazhdimisht edhe nga Komisioni Evropian në Raportin për Kosovën”, përfundon analiza e KDI-së.