Kryesia e Kuvendit - 01.03.2019

Kuvendi javën e ardhshme me dy seanca të jashtëzakonshme

Kuvendi i Kosovës pritet t`i mbajë dy seanca të jashtëzakonshme në javën e ardhme. Kjo pasi që kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ajo e Lidhjes Demokratike ka kaluar në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit.

Deputetja Shqipe Pantina nga Partia Social Demokrate, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë, deklaroi se temat për të cilat janë thirrur dy seancat e jashtëzakonshme kanë mundur të diskutohen edhe në seanca të rregullta.

“Sapo përfundoi e mbledhja e kryesisë ku u shqyrtuan dy kërkesa të VV-së dhe LDK-së për dy seanca të jashtëzakonshme me 5 dhe 6 mars në javën e ardhshme. Ne jemi pro seancave, do të marrim pjesë megjithatë temat që janë thirrur paksa nuk janë për të jashtëzakonshme, sepse mund të trajtohen edhe në seanca normale”, ka thënë Pantina.

Sipas saj, seanca për shpenzimet në 11 vjetorin e pavarësisë është e drejtë.

“Qeveria duhet të tregojë për ato para, por propozuesit kanë sugjeruar që grupet parlamentare të hartojnë një rezolutë. VV shumë shpesh kanë thënë që s`kanë efekt rezolutat, vetëm një rezolutë nuk arsyeton. Qeveria duhet të japë përgjegjësi nëse jo krejt qeveria, ne do ta mbështesnim rrëzimin e qeverisë nëse veç vjen në iniciativë e tillë”, tha Pantina.

Lidhur me kërkesën për seancën e jashtëzakonshme për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ajo ka thënë se është nën përgjegjësinë e presidentit.

“KQZ duhet të funksionalizohet, por nuk e shohim rolin e kuvendit të përfshihet në këto punë sepse qartë është përgjegjësi e presidentit”, tha ajo.

Këto seanca të thirrura nga LVV dhe LDK kanë të bëjnë me vonimin e anëtarëve të KQZ-së si dhe vendimet e Qeverisë për ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara.