Nikolla Gruevski - Foto: REL/AP

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miraton dorëheqjen e Gruevskit

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi kërkesën për dorëheqje nga posti i deputetit të Nikolla Gruevskit.

Ditë më parë, ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski ofroi dorëheqjen nga posti i deputetit, ngase ndaj tij kishte filluar procedura për t’ia hequr mandatit, pasi mungonte për më shumë se gjashtë muaj në seancat e Kuvendit.

Gruevski ndodhet në Hungari, ku e ka fituar azilin politik, për shkak të, siç ka thënë, ndjekjes politike nga qeveria e kryeministrit Zoran Zaev.

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut i kanë paraqitur institucioneve hungareze kërkesën për ekstradimin e ish kryeministrit Nikolla Gruevski. Ai ka deklaruar se në vendin e tij është i ndjekur politikisht dhe se jeta e tij do të ishte në rrezik nëse do të dërgohej në vuajtjen e dënimit me burg të shpallur nga Gjykata në Shkup, për një rast të korrupsionit.

Nikolla Gruevski së fundi, është akuzuar edhe për ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut më 27 prill 2007, si organizator i protestuesve për pushtimin e Kuvendit ku disa deputet pësuan lëndime të rënda, përfshirë edhe kryeministrin, Zoran Zaev, i cili atë kohë ishte lider i opozitës. (REL)