Kushti për Kosovën Nuk Vlen për Malin e Zi

Megjithëse Kosovës i është kushtëzuar liberalizimi i vizave me Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, një kusht i tillë nuk i është vënë Malit të Zi për anëtarësim në NATO.

Sipas Kryeministrit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, procedurat e anëtarësimit në NATO pritet të përfundojnë në fillim të vitit 2017 ndërsa ndër kriteret që i është dashur t’i plotësojë Mali i Zi, nuk ka qenë demarkacioni i kufirit me Kosovën.

Kryeministri malazez në emisionin “Jeta në Kosovë”, deklaroi se Malit të Zi nuk i është kërkuar demarkacioni i kufirit me Kosovën por përgjithësisht raporte të mira me fqinjë.

“Jo, kjo (demarkacioni) nuk është cekur në mënyrë taksative si një kusht. Por, ajo që nënkuptohet për secilin shtet që synon të jetë anëtar i NATO-s është që t’i ketë raportet e rregulluara me të gjithë fqinjët”, tha Gjukanoviq.

Një çështje tjetër që mund të kishte qenë kusht, integrimi i pakicës malazeze në Kosovë, sipas Kryeministrit është çështje e rregulluar.

“Kjo as nuk konsiderohet si e parregulluar, sepse e përsëris, që ndërmjet dy qeverive dhe dy Kryetarëve ekziston një pajtim i qartë politik që do ta bëjmë këtë, që Kosova dëshiron ta bëjë këtë, që Kosova dëshiron t’i integrojë malazezët që jetojnë atje në jetën e tyre politike, por që do ta bëjnë këtë kur të jetë krijuar shumica e nevojshme dhe kur të jetë paraqitur nevoja që të bëhen ndryshime më serioze në Kushtetutën e Kosovës”, konstatoi Gjukanoviq.

Megjithatë, ai ka theksuar se prej Malit të Zi është kërkuar  që të mos ketë çështje të hapura e kontestuese  veçanërisht territoriale.

“Kur ju thash që kërkohet rregullimi, nënkuptohet në rend të parë, mosekzistimi i ndonjë konflikti apo kontesti të hapur me fqinjët, duke pasur parasysh në rend të parë atë që është trashëgimia historike e Ballkanit, të mos ketë pyetje të hapura lidhur me konteste territoriale”, tha Kryeministri Gjukanoviq.

E për kushtet e mbetura ai theksoi se janë sundimi i ligjit dhe plani i mbështetjes publike.

Intervistën e plotë me kryeministrin e Malit të Zi Milo Gjukanoviq për emisionin “Jeta në Kosovë” mund ta shikoni në linkun e mëposhtëm: