Ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese
Kushtetuesja Refuzon ta Përmbushë Një Kriter për Liberalizimin e Vizave
Gjetja e një strehe për Institucionin e Avokatit të Popullit është një ndër tetë kriteret që Komisioni Evropian ika vënë Kosovës për ta marrë liberalizimin e vizave por sot kur pritet që qeveria e Kosovës ta dërgojë një raport në Bruksel, në vend të rezultateve do t’i duhet të dërgojë arsyetime për moskryerje të punës.
Plani i qeverisë ka qenë që këtë institucion të pavarur ta vendosë në objektin ku aktualisht qëndron selia e Gjykatës Kushtetuese ndërsa këtë të fundit ta zhvendosë në Pallatin e Drejtësisë.
Por Kushtetuesja po refuzon të zhvendoset në kompleksin i cili është përuruar një vit mëparë në periferi të Prishtinës, në lagjen Veternik.
Vendimi i Ministrisë së Administratës Publike për zhvendosjen e Gjykatës Kushtetuese në Pallatin e Drejtësisë ekziston që nga vitit 2012, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.
Sipas Ministrit për Integrime Evropiane, Bekim Çollaku në rast se Gjykata Kushtetuese refuzon zbatimin e këtij vendimi, atëherë institucionet përgjegjëse do të jenë të detyruara që të gjejnë alternativa tjera për ta zgjidhur këtë problem sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Hapësira e përcaktuar brenda Pallatit të Drejtësisë, që është një objekt modern, aktualisht është e pashfrytëzuar. Ky vendim, është ende në fuqi dhe presim nga Gjykata Kushtetuese ta respektojë atë. Mirëpo në rast se për çfarëdo arsye tjetër, Gjykata Kushtetuese refuzon zbatimin e këtij vendimi, atëherë institucionet përgjegjëse do të jenë të detyruara që të gjejnë alternativa tjera për ta zgjidhur këtë problem sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë Çollaku.
Ndërsa ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, thapër KALLXO.com se arsyet e mos-kalimit të Kushtetueses në Pallat të Drejtësisë janë të ndryshme dhe ato duhet të kërkohen në Kushtetuese.
E Kushtetuesja nuk ka kthyer përgjigje.
I pyetur a e ka obligim Kushtetuesja të zhvendoset në Pallatin e Drejtësisë, ministri tha se “obligimi vlen për të gjitha institucionet” që të zbatojnë planet shtetërore.
Yagcilar shtoi që ka bërë kërkesë për zhvendosje, duke u thirrur edhe në liberalizim, por Kushtetuesja e ka refuzuar një gjë të tillë.
“Arsyetimet janë ndryshme të cilat mundeni t’i kërkoni në Gjykatën Kushtetuese. Me fillimin e ndërtimit të Pallatit te Drejtësisë bashkë me godinën e Gjykatës Kushtetuese, janë bërë edhe planifikime për akomodimin e institucioneve ndryshme qysh në vitet 2011-12. Në fillim nuk ka pas reagime për akomodim, por me zhvillimin e ndërtimit të Pallatit se Drejtësisë kanë nisur edhe mendime te ndryshme nga zyrtaret e Gjykatës Kushtetuese sa i përket akomodimit”, tha Yagcilar.
Nga ana tjetër, Institucioni i Avokatit të Popullit, i cili funksionon ende në një objekt privat, thotë se është në pritje të implementimit të vendimit të MAP.
“Ende nuk kemi një përgjigje definitive se mundemi të fillojmë të zhvendosemi. Ka pasë një angazhim të qeverisë në këtë drejtim, ka një letër të ministrit të MAP-it që i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese që të fillojë të zhvendoset, por ne nuk kemi shkresë që na thuhet që objekti është i gatshëm për akomodimin tonë”, tha Majlinda Lulaj, zëdhënëse e Avokatit të Popullit.