Dhuna në familje - Foto: REL/Shutterstock
Kushtet në strehimoren e Mitrovicës ua pamundësojnë kthimin nga Prishtina viktimave të dhunës
Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në qytetin e Mitrovicës është detyruar që viktimat e dhunës në familje t’i bartë në qendrën në Prishtinë për shkak të mungesës së kushteve.
Ndërkaq, të dy qendrat janë në pritje të mjeteve nga institucionet e Kosovës, në mënyrë që të funksionojnë mirëfilli dhe të ofrojnë shërbime për të strehuarit.
Drejtoresha e QMGF-së në Mitrovicë, Fidane Hyseni ka deklaruar për KALLXO.com, se aktualisht janë duke punuar vetëm si staf, pasi viktimat janë transferuar në Prishtinë.
“Qendra në Mitrovicë është funksionale dhe veprimtarinë e vet nuk e ka ndërprerë kurrë. Ne stafi jemi duke punuar, mirëpo për shkak të mungesës së ushqimit dhe ngrohjes jemi detyruar t’i dërgojmë viktimat në Prishtinë. Kurse problemin e prishjeve nga rryma në qendrën tonë për shkak të djegies së trafos në Mitrovicë, e kemi rregulluar”, tha ajo.
Hyseni shtoi se viktimat do të kthehen nga Prishtina në Mitrovicë sapo të sigurohen mjetet për ushqim dhe nevoja të tjera nga ana e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
“Kam paraqitur kërkesë në MPMS dhe jemi në pritje të alokimit të mjeteve. Në momentin që e sigurojmë ushqimin do t’i sjellim viktimat këtu. Stafi punojmë prej orës 08:00-16:00, ndërkaq, kur të kthehen viktimat punojnë 24”, tha drejtoresha e kësaj qendre.
Ndërkaq, Zana Hamiti, drejtoreshë e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, ka bërë të ditur për KALLXO.com se në këtë qendër janë sistemuar 4 viktima të dhunës në familje nga Mitrovica.
“Po, viktimat janë këtu, ato 4 që i kam pranuar unë gjatë asaj periudhe. Një nënë me një foshnje që për momentin është në spital, po pritet me u kthy prapë në strehimore dhe dy të tjera janë në qendrën tonë”, tha ajo.
Hamiti tha se QMGF në Prishtinë aktualisht është funksionale falë një donacioni nga mërgimtarët.
“Falë një donacioni që e kemi marrë prej një komuniteti shqiptar që janë në Londër, ne jemi duke funksionuar. Përndryshe prej shtetit nuk kemi asnjë përkrahje, prej 31 dhjetorit kur ka përfunduar projekti i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Pas thirrjes publike jemi në pritje të përgjigjes së MPMS, kemi aplikuar dhe po presim”, tha drejtoresha e kësaj qendre.
Hamiti bëri të ditur se në këtë qendër që nga janari i këtij viti i kanë pasur 11 raste të strehuara.
“Prej janarit deri tash i kemi pasur 11 raste të strehuara në qendrën tonë, por disa kanë dalë pasi janë zgjidhur problemet. Aktualisht në qendrën tonë janë 5 viktima, një e Komunës së Obiliqit dhe të tjerat nga komuna e Mitrovicës”, tha ajo.
Lidhur me telashet që po përballet QMGF në Mitrovicë, KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Komunën e Mitrovicës Jugore, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
Ndërkaq, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka shpjeguar për KALLXO.com, gjendjen në të cilën janë duke e zhvilluar veprimtarinë strehimoret në fjalë.
“MPMS, gjegjësisht Departamenti për Politika Sociale dhe Familjes, më 04 shkurt 2019 ka pranuar njoftimin se strehimorja në Mitrovicë është duke funksionuar me vështirësi (shkak për mbyllje disa ditore ka qenë prishja e rrymës në Mitrovicë që ka qenë njoftim edhe në media)”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Ministria shton se strehimorja në Prishtinë është duke funksionuar normalisht.
“Për momentin kanë të strehuara 5 viktima të dhunës në familje (për shkak të problemit me rrymë në strehimoren në Mitrovicë, strehimorja në Prishtinë i ka strehuar 4 viktima nga Mitrovica). Po ashtu kjo strehimore përgjatë vitit 2018 është mbështetur nga ana e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, po ashtu edhe këtë vit ka aplikuar për mbështetje financiare dhe është në proces e sipër”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
https://kallxo.com/strehimorja-e-mitrovices-mbetet-jo-funksionale-ne-mungese-fondesh/
www.kallxo.com