Kushëriri i presidentit Hashim Thaçi në krye të KEK-ut

Njazi Thaçi, kushëriri i presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është zgjedhur drejtor menaxhues i KEK-ut.

Sipas njoftimit të KEK-ut, Njazi Thaçi ka qenë kandidati më i suksesshëm në garë për drejtor menaxhues të KEK-ut, duke marrë pikët maksimale në dy fazat e intervistimit.

“Duke respektuar në përpikëri Ligji e Ndërmarrjeve Publike, sipas kritereve të konkursit, në një proces krejtësisht transparent dhe objektiv, në bashkëpunim të plotë me ekspertët e partnerit zbatues nga Ambasada Britanike, pasi kanë kaluar disa faza të intervistimit, Njazi Thaçi ka dalë kandidati me i suksesshëm në garë për pozitën e drejtorit menaxhues të KEK-ut, duke marrë pikët maksimale në dy fazat e intervistimit”, thuhet në njoftimin e KEK.  

Ky konkurs është zhvilluar me asistencën e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë, kurse BIRN ka bërë monitorimin e këtij procesi të rekrutimit. Komisionit i rekrutimit, i përbërë nga Bordi i Drejtorëve të KEK-ut dhe ekspertët e partnerit zbatues nga Ambasada Britanike kanë bërë vlerësimet e ndara për secilin kandidatë, duke i vlerësuar me pikët e arritura gjatë dy fazave të intervistimit.

Njazi Thaçi ishte punësuar në KEK më 2006, kur ministër i Energjisë dhe Minierave dhe kryetar i Bordit të KEK-ut ishte Ethem Çeku i AAK-së.

Pas katër vjet udhëheqjeje të tenderëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), në vitin 2011, shefi i Prokurimit, Njazi Thaçi, është avancuar në pozitën e Drejtorit Operativ.

Njazi Thaçi është akuzuar nga Prokuroria Speciale për tri vepra penale lidhur me një tender milionësh të dhënë në vitin 2011. Ai akuzohej për periudhën kur ka qenë drejtor i Departamentit të Prokurimit në KEK. Në janar të vitit 2017, prokurori Paul Flyn është tërhequr nga akuza ndaj të gjithë të pandehurve në rastin gjyqësor ndaj Njazi Thaçit dhe të tjerëve.

Ndryshe, KEK ka shpallur konkurs më 4 dhe 6 prill të vitit 2018 për pozitat, Drejtor Menaxhues, Drejtor Ekzekutiv Financiar dhe Këshilltar i Përgjithshëm/Sekretar i Korporatës.

Kurse, më 24 dhe 28 maj Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka anuluar konkursin për pozitat, Drejtor Menaxhues, Drejtor Ekzekutiv Financiar dhe Këshilltar i Përgjithshëm/Sekretar i Korporatës.

Korporata Energjetike e Kosovës  ka rishpallur përsëri me 1 qershor konkursin për pozitat Drejtor Menaxhues, Drejtor Ekzekutiv Financiar dhe Këshilltar i Përgjithshëm/Sekretar i Korporatës. Ky konkurs përsëri u anulua.

Konkursi i tretë për të zgjedhur Drejtorin Menaxhues të KEK është hapur më 9 gusht dhe ka qenë i hapur deri më 10 shtator 2018.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ishte zotuar se do të kujdesej që rekomandimet e partnerëve britanik të zbatohen dhe nëpër pozita të larta të emërohen persona më meritor.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) përmes një opinioni dërguar Bordit Drejtues (BD) të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka kërkuar që të rishqyrtohet vendimi për konkursin e shpallur me 4 dhe 5 prill për Drejtor Menaxhues, Zyrtar të auditimit të brendshëm, Drejtor Ekzekutiv Financiar dhe Këshilltar i Përgjithshëm/Sekretar të KEK.

Ato kanë kërkuar që fillimisht t’u ndërpritet kontrata personave që janë nëpër këto pozita, e pastaj të shpallet konkursi.

“Bordi Drejtues të gjitha veprimet dhe vendimet duhet bazuar në rregullimet ligjore të përcaktuara në legjislacionin që rregullon veprimtarin edhe funksionimin e NP-ve, duke pasur kujdes që të emëruarve paraprakisht u pushojnë të drejtat dhe detyrat nga puna dhe marrëdhënia e punës sipas vlerësimit dhe vendi të jetë i lirë e pastaj të veprohet sipas kërkesave për emërimin dhe zgjedhjen e zyrtarëve të lartë të rregulluar në ligjin për NP”, thuhet në opinionin drejtuar Bordit të KEK-ut nga MZhE.

Në mbledhjen e Bordit Drejtues të KEK-ut të mbajtur me 31 maj, Drejtori Menaxhues i deriatëhershëm i KEK, Arben Gjukaj, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij.

Menjëherë pas dorëheqjes së Gjukajt, Njazi Thaçi, kushëriri i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është emëruar u.d. Drejtor Menaxhues në KEK.

Pasuria e Drejtorit të ri Menaxhues të KEK-ut 

Njazi Thaçi, Drejtori i ri Menaxhues në KEK, ka deklaruar pasuri të paluajtshme në emër të tij dhe të bashkëshortes së tij me vlerë 217,400 mijë euro.

Thaçi në vitin 2018 ka deklaruar një lokal afarist 78 metra katrorë me vlerë 47,500 euro, banesë 190 metra katrorë me vlerë 133,900 mijë euro, një banesë 55 metra katrorë në emër të bashkëshortes, me vlerë 36 mijë euro dhe një tokë punuese me siperfaqe 2.5 hektarë, në pronësi të përbashkët, të cilës nuk ia ka deklaruar vlerë.

Ai ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion edhe një veturë ‘Audi A4’ në pronësi të bashkëshortes, me vlerë 10 mijë euro.

Njazi Thaçi ka deklaruar se posedon para të gatshme me vlerë 19,405 mijë euro në njërën nga bankat dhe 5,133 euro në emër të bashkëshortes, dhe 7700 euro në emër të fëmijëve.

Në formularin e pasurisë, Thaçi ka deklaruar edhe pagën të cilën ai e merr nga KEK-u, me vlerë 26,874 mijë euro dhe 4200 euro të cilat i merr nga qiraja e lokalit të cilin e ka deklaruar që e ka në pronësi.