Blerim Reka. Foto: Kallxo.com

Kush është shqiptari që po synon të udhëheqë Maqedoninë e Veriut?

Duke shënuar risi në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, një shqiptar ka kandiduar si i pavarur për t’u bërë President.

Blerim Reka që kishte punuar si diplomat, profesor ka vendosur të përballet me votat e qytetarëve maqedonë më 21 prill.

Reka më parë kishte punuar si këshilltar i Bernard Kushner, si profesor dhe si ambasador i Maqedonisë në Bruksel.

Në një intervistë për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Reka tregoi për arsyet e kandidaturës së tij.

“Për këto 36 vite përvojë punë, 22 vite përvojë universitare dhe 4 vite përvojë akademike mund të them se janë më shumë një kombinimi të  një angazhimi intelektual më shumë se politik. Mendova se a duhet ta përfundojë karrierën si një intelektual që sodit dhe vëzhdon fenomenet apo një intelektual politik që ndoshta mundet t’i ndryshojë këto fenomene”, tha Reka.

Ai shtoi se për kandidaturë u shtye edhe nga fakti i mungesës së kandidatëve shqiptarë për President të këtij shteti.

“Në Maqedoni derisa nuk kandidova ishin dy kandidatura për President të dy partive kryesore maqedone, njërës në pushtet dhe tjetrës në opozitë, nuk pati kandidaturë shqiptare për President. Kjo më sfidoi që ta ndryshojë paraprakisht mentalitetin dhe pastaj sistemin ku shqiptarët tash e 30 vite në Maqedoni janë vetëm makineri votuese”, tha Reka.

Në këtë intervistë, Reka flet për politikën në Maqedoni, ai komenton edhe aktualitetin politik në Kosovë e Shqipëri.

Emisionin e plotë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: