Skender Çoçaj, KGJK. Foto: Atdhe Mulla

Kush është kryetari i ri i Këshillit Gjyqësor dhe cila është pasuria e tij?

Skender Çoçaj sot u zgjodh kryetar i ri i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Çoçaj e kaloi kundërkandidatin , tashmë ish-kryesuesin  Nehat Idrizi për një votë, derisa ky i fundit mori pesë vota.

Zotimet kryesore të Çoçajt ishin transparenca, rritja e efikasitetit, llogaridhënies dhe rritja e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe me OJQ-të.

Skender Çoçaj ishte zgjedhur si anëtar i KGJK-së nga gjyqësori në qershor të vitit 2016, nga radhët e gjyqtarëve nga gjykatat themelore.

Por cila është karriera e gjyqtarit Skender Çoçaj deri në ditën kur u zgjodh si kryesues i Këshillit Gjyqësor ?

Çoçaj me prejardhje nga Prizreni, ka diplomuar në vitin 2003 në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës. Ai kreu provimin e jurisprudencës në vitin 2007.

Karrierrën si jurist e filloi në cilësinë e praktikantit në Gjykatën e Qarkut në Prizren në vitin 2004 deri në vitin 2005.

Gjithashtu ka punuar edhe si asistent arkivist në periudhën prej 2005 e deri në vitin 2006.

https://kallxo.com/keshilli-gjyqesor-behet-me-kryesues-te-ri/

Në vitin 2007 e deri në vitin 2008 ishte angazhuar si bashkëpunëtor profesional vullnetar në Gjykatën Komunale të Prizrenit, ndërsa në vitin 2008 e deri në vitin 2010 punoi si bashkëpunëtor në Gjykatën e Qarkut në Prizren.

Ndërsa në vitin 2010 është emëruar si gjyqtar në Gjykatën Komunale në Prizren ku dhe punoi deri në vitin 2013, ku edhe për një kohë ka mbajtur pozitën e udhëheqësit të këtij Departamenti.

Nga nëntori i vitit 2014, ngritet në pozitë dhe caktohet gjyqtar në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prizren, pozitë të cilën ende e mban.

Në mars të vitit 2017 i njëjti ishte zgjedhur si anëtar i  Këshillit Drejtues të Akademisë së Drejtësisë.

Ndërsa me datë 24 janar i njëjti dha dorëheqjes nga Akademia e Drejtësisë.

Më 7 shkurt të vitit 2017 i njëjti është zgjedhur edhe në pozitën e nënkryetarit të Gjykatës Themelore Prizren, të cilën e udhëheq kryetari Ymer Hoxha.

Por cila është pasuria e tij?

Në Agjencinë Kundër Korrupsion si pasuri të paluajtshme i pari i KGJK-së ka të deklaruar një shtëpi në sipërfaqe prej 200.00 m2, për të cilën ka deklaruar se është e trashëguar nga bashkësia familjare, vlera e së cilës është 70,000.00 euro.

Çoçaj ka të deklaruar edhe një veturë të tipit Passat vlera e të cilës është 8,300.00 euro.

Para të kursyera ka deklaruar shumën prej 2.000 eurove ndërsa ka deklaruar se ka edhe një kredi në vlerë prej 3.600 eurove.

Të hyrat vjetore nga paga, Çoçaj i ka të deklaruara 18.180 euro.