Bahri Hyseni KPK

Kush është Bahri Hyseni, kryesues i ri i KPK-së?

Bahri Hyseni mori sot drejtimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për tri vitet e ardhshme.

Ai në këtë pozitë e trashëgoi Blerim Isufajn.

Pak para se të zgjidhet, 50 vjeçari Hyseni tha se do të angazhohet për forcimin e pavarësisë së Prokurorisë së Shtetit.

“Nëse zgjidhem do të angazhohem që këto institucione të punojnë të pavarura dhe të pandikuara nga çdo ndërhyrje e brendshme apo e jashtme”, tha Hyseni.

Mes tjerash ai tha se ka “konkurruar” për ta kryesuar këtë organ Kushtetues.

“Të nderuar, me datën 24 dhjetor 2018, KPK ka bërë ftesë publike që anëtaret e këtij këshilli që kanë interesim të bëjnë nominimin për të kryesuar këtë organ kushtetues. Unë jam ai që kam paraqitur nominimin dhe interesimin tim, për ta kryesuar këtë institucion të rëndësishëm”, tha Hyseni.

Pas kësaj, anëtarët e KPK-së, me dhjetë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim ia dhanë Bahri Hysenit drejtimin e këtij institucioni.

Bahri Hyseni para se të bëhej prokuror, ka shërbyer si deputet në Kuvendin e Kosovës e më herët edhe si Kryetar i komunës së Shtërpces nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Më pas, karrierën profesionale si prokuror e nisi në Prokurorinë Themelore në Ferizaj.

Bahri Hyseni, në vitin 2016 u përfol si protagonist në aferën e përgjimeve në dosjet e “Prontos”, kur Gazeta Insajderi publikoi përgjimet e Adem Grabovcit dhe të tjerëve rreth dyshimeve për kurdisjen e punësimeve në institucionet dhe ndërmarrjet publike.

Në ato përgjime diskutohej për punësimin e tij eventuial si anëtar i Bordit të KOSTT-it. Hyseni në ato përgjime ish- shefit të grupit parlamentar të PDK-së vazhdimisht i drejtohej me “Shef”.