Kurti: Tri arsye pse duhet shkuar menjëherë në zgjedhje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka renditur tri arsyet se pse sipas tij vendi duhet të shkojë menjëherë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Përmes Facebook-ut, Kurti ka shkruar se një nga arsyet është se Kuvendi i Kosovës i është nënshtruar një deformimi të dyfishtë.

“a) Shtator 2017: AKR kalon nga LAA te PAN dhe mundëson formimin e qeverisë; b) Maj 2018: një dyzinë deputetësh ikën nga LVV te një partiçkë që garoi me PAN-in, dhe ia votuan qeverisë buxhetin 2019”, thuhet në publikimin e tij.

Sipas tij, arsyeja e dytë është kur delegacioni shtetëror për bisedimet me Serbinë u shpall antikushtetues.

“Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese KO 43/19, më 27 qershor 2019 (mbi të ashtuquajturin ligj dhe delegacion për dialogun me Serbinë), pozita në pushtet e ngelur si qeveri e pakicës përfundoi edhe anti-kushtetuese”, është arsyeja e dytë e Kurtit.

Kreu i VV-së, si arsye të tretë i ka renditur deklarimet e subjekteve politike vendore se Kosova duhet të shkojë në zgjedhje.

“Në këto rrethana, duhet shpërndarë Kuvendi. Kjo qeveri që kishim s’rrinte dot në këmbë. Ky Kuvend që kemi s’mund të mëkëmbë qeveri. Efektivisht, neni 82, pika 2, i rrin situatës së krijuar. Çfarëdo që bën Presidenti e kjo nuk është për datë të zgjedhjeve të reja vetëm sa e zvarrit procesin duke e dëmtuar shtetin e Kosovës dhe interesin e qytetarëve”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Menjëherë pas dorëheqjes së Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj të premten, partitë politike opozitare dhe ato në pushtet kanë kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë ka thënë se motivi i tij për dorëheqje është ftesa që i është bërë nga Gjykata Speciale për intervistim në cilësinë e të dyshuarit.

Më poshtë gjeni publikimin e plotë të Albin Kurtit në Facebook:

Zgjedhje? Po. Kur? Menjëherë.

Tri arsye pse Presidenti duhet t’i thërrasë partitë politike për datën e zgjedhjeve pa patur nevojë ta rilexojë nenin 95, pika 5, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës:

  1. Kuvendi i Kosovës i është nënshtruar një deformimi të dyfishtë të vullnetit të qytetarëve pas zgjedhjeve të 11 qershorit 2017:
  2. a) Shtator 2017: AKR kalon nga LAA te PAN dhe mundëson formimin e qeverisë;
  3. b) Maj 2018: një dyzinë deputetësh ikën nga LVV te një partiçkë që garoi me PAN-in, dhe ia votuan qeverisë buxhetin 2019.
  4. Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese KO 43/19, më 27 qershor 2019 (mbi të ashtuquajturin ligj dhe delegacion për dialogun me Serbinë), pozita në pushtet e ngelur si qeveri e pakicës përfundoi edhe anti-kushtetuese.
  5. Me të dhënë dorëheqje ish kryeministri, të gjitha subjektet politike, si ne të opozitës po ashtu edhe ato të koalicionit qeveritar, kanë deklaruar që janë për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Në këto rrethana, duhet shpërndarë Kuvendi. Kjo qeveri që kishim s’rrinte dot në këmbë. Ky Kuvend që kemi s’mund të mëkëmbë qeveri. Efektivisht, neni 82, pika 2, i rrin situatës së krijuar. Çfarëdo që bën Presidenti e kjo nuk është për datë të zgjedhjeve të reja vetëm sa e zvarrit procesin duke e dëmtuar shtetin e Kosovës dhe interesin e qytetarëve.