Albin Kurti - Foto: Atdhe Mulla

Kurti Tregon 'Rrugën e Duhur' Drejt Shtetit Zhvillimor

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë një bilanc të shkëmbimeve tregtare të Kosovës me vendet fqinje në prag të shënimit të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Sipas Kurtit, raporti eksport/import në 1/10.

“Në dhjetor të vitit 2017 eksportet e Kosovës në Shqipëri ishin dyfish më të mëdha sesa në Maqedoni dhe trefish më të mëdha sesa në Serbi ose Mal të Zi. Në anën tjetër, importet e Kosovës ishin mbi katër herë më të mëdha nga Serbia sesa nga Shqipëria”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në “Facebook”.

Kurti thotë se tri reformat drejt shtetit zhvillimor (Fondi Sovran, Agjencia e Zhvillimit, Banka Zhvillimore) të cilat i ka prezantuar Lëvizja Vetëvendosje në prag të fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit 2017, “janë rruga e duhur dhe zgjidhja e vetme”.

Ky është postimi i plotë i Albin Kurtit:

“Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deficiti tregtar për muajin dhjetor 2017 u rrit për 8.5% në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2016. Eksporti i mallrave në muajin dhjetor 2017 kishte vlerën 29,4 milionë €, ndërkaq importi 297,3 milionë €. Kësisoj, raporti eksport/import është veçse 1/10!

Në dhjetor të vitit 2017 eksportet e Kosovës në Shqipëri ishin dyfish më të mëdha sesa në Maqedoni dhe trefish më të mëdha sesa në Serbi ose Mal të Zi. Në anën tjetër, importet e Kosovës ishin mbi katër herë më të mëdha nga Serbia sesa nga Shqipëria.

Ja se çfarë shifrash kemi për pasqyrë në vigjile të shënimit të 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës! As sovranizimi shtetëror, as zhvillimi ekonomik dhe as patriotizmi nuk e kanë kështu.

Tri reformat drejt shtetit zhvillimor (Fondi Sovran, Agjencia e Zhvillimit, Banka Zhvillimore) të cilat i kemi prezantuar dhe shpjeguar në prag të fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit 2017, janë rruga e duhur dhe zgjidhja e vetme”.