Albin Kurti. Foto: Atdhe Mulla

Kurti: Thaçi po e përdorë dialogun për imunitet nga Gjykata Speciale

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka komentuar takimin që pritet të mbahet të dielën ndërmjet Thaçit e Vuçiqit në Bruksel.

Sipas Kurtit, Thaçi nuk është duke shkuar në Bruksel, por te Vuçiqi.

“Thaçi nuk është duke shkuar në Bruksel. Vuçiqi po shkon në Bruksel e Thaçi po shkon te Vuçiqi”, tha Kurti në konferencën për media.

Sipas tij, Thaçi është duke e përdorur dialogun për imunitet.

“Thaçi po e përdor dialogun me Serbinë për imunitet për veten e tij nga Gjykata Speciale”, tha tutje ai.

Kurti tha se nuk e sheh si prioritet dialogun, por punësimin, arsimin e shëndetësinë.

“Kurrfarë finale nuk është ky dialog. Duhet të rrojë dialogu me Serbinë, që të rrojë edhe Thaçi”, tha tutje Kurti gjatë kësaj konference.

Ai madje e quajti Thaçin ‘gënjeshtar’ e të ‘paditur’.

“Thaçi është gënjeshtar dhe i paditur. Ai është president për veten dhe jo vendin e tij. Duhet ta bëjmë shqyrtimin dhe vlerësimin e dialogut 6 vjeçar, ti përcaktojmë synimet dhe kërkesat tona dhe pastaj të vazhdojmë me emra të përveçëm për ekipin”, u shprehë Kurti.

“Ne kemi nevojë ta shënjojmë kufirin me Serbinë, mirëpo propozimet e këtilla që bëhen nga presidenti më shumë janë për ta bërë veten interesant se sa për Kosovën”, tha Kurti kur po fliste për deklaratën e Thaçit që në këtë dialog do të diskutohet edhe për demarkacionin me Serbinë.

“Ne nuk i bashkohemi sjelljeve të tilla arbitrare të njeriut te shantazhuar”, tha Kurti kur u pyet nëse do të jenë pjesë e dialogut final.