Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti - Foto: KALLXO.com

Albin Kurti: Të punojmë me Greqinë, të mos humbim kohë me Spanjën

Dy ditë para se të mbahet Samiti i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, në Sofje të Bullgarisë, Lëvizja Vetëvendosje është duke mbajtur një tryezë në lidhje me shqiptarët dhe integrimin europian.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se pengimi i anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian nuk pengohet nga Serbia por nga pesë shtetet të cilat nuk e njohin Kosovën.

“Mali i Zi ka hapur 30 prej 35 prej kapitujve të negociatave për anëtarësim, ndërsa Serbia 12 nga 35 kapituj. Integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian nuk e pengon Serbia por, pesë shtetet të cilat nuk na njohin. Përderisa në njërën anë besojmë që shumë më tepër mund të punojmë me Greqinë dhe nuk duhet të humbim kohë me Spanjën për shkak të rrethanave që jetojnë në atë vend”, tha Kurti.

http://kallxo.com/paqartesite-spanje-kosove-rreth-samitit-ne-sofje/

Ai shtoi edhe se anëtarësimi i Serbisë në BE, varet nga Kosova.

“Për ne bashkëpunimi rajonal është esencial. Pesë shtetet mos njohëse e pengojnë anëtarësimin në BE, anëtarësimi i Serbisë varet nga Kosova, besoj se kjo paraqet një element shumë të fuqishëm të gjeopolitikës dinamike në rajonin për herë të trazuar te Ballkanit perëndimor”, tha ai.

Sipas Kurtit, nuk janë vetëm shqiptarët ata që presin shumë nga Bashkimi Evropian, pasi që edhe Bashkimi Evropian pret shumë nga shqiptarët.

Kurti përmendi edhe tri elementet kryesore të Bashkimit Europian me të cilat lejon shtetet të anëtarësohen në të.

“Janë tri elemente që Bashkimi Evropian i ka pasur që në themelet e tij: paqja nëpërmjet antifashizmi dhe paqja me antifashizëm, shtetin e mirëqenies dhe ombrellën e sigurisë së NATO-s. Këto janë tri elementet e Bashkimit Europian e cila filloi si një ekonomi për paqe”, tha Kurti.

Bashkimi Europian ka 28 shtete anëtare dhe është në pritje të zgjerimit të mëtutjeshëm drejt Ballkanit.

Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina janë vendet të cilat, në faza të ndryshme, presin të hyjnë në BE.

http://kallxo.com/shefi-i-unmik-ut-duhet-angazhim-ne-tejkalimin-e-bllokades-prishtine-beograd/