Kurti takon Isa Mustafën, përgatiten për rrëzimin e qeverisë Haradinaj

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka takuar kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Siç deklaroi ai në “Facebook”, me të parin e LDK-së janë takuar për të biseduar rreth iniciativës së këtij të fundit për mosbesimin ndaj qeverisë Haradinaj.

“Sot takova kryetarin e LDK-së, z. Isa Mustafa. Biseduam për situatën politike dhe iniciativën për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë. Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik e jo për korrupsion institucional”, ka shkruar ai.

Tutje, lideri i Vetëvendosjes tha se janë pajtuar me kreun e LDK-së për përgatitjen për rrëzimin e Qeverisë së Ramush Haradinajt.

“Qytetarët duan qeverisje të re, të mirë e të drejtë dhe jo keqqeverisje që na e rrit borxhin, zhvat buxhetin dhe falimenton ndërmarrjet. U pajtuam që t’i bëjmë përgatitjet e nevojshme për rrëzimin e qeverisë”, shkroi ai.

Ditë më parë, lideri i LDK-së bëri të ditur se ka nisur një iniciativë për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj. Ai ka thënë se do të koordinohet me LVV dhe PSD-në.

https://kallxo.com/mustafa-me-vv-dhe-psd-jemi-gati-tia-thyejme-kembet-kesaj-qeverie/