Deputeti Albin Kurti i drejtohet protestuesve - Foto: KALLXO.com

Kurti: Sot Kemi Korrur Fitore Historike

“Ne sot kemi shpëtuar 8,200 hektarë tokë, të larë me djersën e gjakun e qytetarëve dhe dëshmorëve të Kosovës”, tha para protestuesve të mbledhur afër Kuvendit të Kosovës, deputeti Albin Kurti.

Kjo fitore, sipas Kurtit, është arritur duke iu falënderuar peticionit, protestave e demonstratave, protestës së sotme, ekspertëve e profesionistëve nga Kosova e Shqipëria që ua dëshmuan të gjithëve se 8.200 hektarë të bjeshkëve të Rugovës i takojnë Kosovës, duke iu falënderuar deputetëve opozitarë, por edhe deputetëve si Vjosa Osmani, Nait Hasani, etj., të cilët nuk i janë nënshtruar Kadri Veselit, Hashim Thaçit e Isa Mustafës.

“Duke iu falënderuar të gjithë këtyre shkaktarëve e faktorëve, ne sot kemi korrur një fitore historike. 8,200 hektarë tokë të Kosovës i kemi shpëtuar”, ka thënë Kurti.

Ndërsa kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Visar Ymeri, tha para protestuesve se “Qeveria e “klanit Pronto” vazhdon ta kërcënojë Kosovën“.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të jenë të vetëdijshëm dhe vigjilentë dhe theksoi se protesta dhe rezistenca duhet të vazhdojnë.

Rreth gjysmë ore më herët, kryeministri Isa Mustafa e ka tërhequr nga rendi i ditës të Kuvendit të Kosovës pikën për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Në arsyetimin për këtë lëvizje, Mustafa përmendi presionin ndaj deputetëve por edhe koncesionet që, sipas tij, po i kërkon një grup parlamentar.

http://kallxo.com/qeveria-terheq-demarkacionin-nga-rendi-dites/