Kurti: Shkarkimi i ministrit serb, gjest patriotik

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se Kosova i ka dy armiq: Serbinë nga jashtë dhe korrupsionin nga brenda.

Ai në tubimin me qytetarë në Prishtinë me moton kundër “PANhajnisë, zgjedhje të reja”, tha se kryeministri, Ramush Haradinaj e ka shkarkuar ministrin serb të Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq si gjest patriotik.

“E patë se si dje u shkarkua ministri i Listës serbe për një deklaratë të cilën e ka dhënë ai me 24 mars. Të gjithë e kemi parë deklaratën e tij atë ditë mirëpo shkarkimi i tij ka ndodhur dje, çdo herë kur ngritët vala popullore kundër hajnisë së tyre këta e bëjnë një gjest patriotik”, tha Kurti.

Ai shtoi se nëse VV vjen në Qeveri do të ketë më pak pabarazi dhe varfëri si dhe më shumë drejtësi.

“Qeveria është e pashpresë, jo populli. Qeverisja e re do ta çlirojë edhe prokurorinë për të vepruar për drejtësi, ne nuk do t’i mbrojmë të korruptuarit, ata do t’i mbrojnë avokatët s’do të ketë më ulëse pushteti për të”, tha Kurti.

Ndërsa, deputeti i kësaj partie, Glauk Konjufca, në këtë tubim ka akuzuar edhe PSD-në, e cila sipas tij, i është bashkuar qeverisjes aktuale me korrupsion.

“Prishtina sot nuk po më duket kryeqytet sepse kryet i ka dezertu dhe kur po shikoj nga logon PAN e pashë se po i mungon diçka, P duhet me qenë në katror sepse njëra është në pushtet dhe tjetra kinse në pushtet”, tha Konjufca.