Foto: Kallxo.com

Kurti: Që dy muaj dërguam kallëzim penal për Thaçin e Veselin, ende s’kemi marrë asnjë thirrje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka publikuar një status të cilin e ka titulluar “prokurorë me flladitëse”.

Kurti me anë të postimit ka njoftuar se janë bërë dy muaj që kur ai së bashku me shefin e grupit parlamentar të LVV-së, Glauk Konjufca kanë dërguar kallëzim penal në prokurori për presidentin Hashim Thaçi e kryeparlamentarin Kadri Veseli për shpifje dhe gënjeshtra në seancën gjyqësore e njohur si “Syri i Popullit”.

“Askush nuk na thirri as sot, nga prokuroria e shtetit. U mbushën dy muaj që me Glaukun patëm dorëzuar kallëzimin penal. Presidenti i Kosovës dhe Kryetari i Kuvendit kanë gënjyer e shpifur nën betim. Në procesin gjyqësor kundër kinse pjesëtarëve të organizatës së ashtuquajtur “Syri i Popullit”, më 28 dhjetor 2018, kanë thënë një mal me të pavërteta. Prej asaj se dora ime dhe e Glaukut i paska shkruar komunikatat e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, te veshi i Presidentit që paska dëgjuar urdhër për vrasje nga ne, e deri te njëfarë krahu i armatosur i Vetëvendosjes”, ka shkruar Kurti.

Ai tutje tha se prokurorëve kosovar nuk u vjen interesat se krerët institucional të Kosovës gënjejnë në gjykatë.

“Gjuha është prej tulit e letra duron gjithçka, por kur krerët e institucioneve gënjejnë në gjykatë porsa japin betimin se do flasin të vërtetën, kjo sigurisht se do të duhej t’ishte detyrë fort interesante për prokurorët. Ama jo edhe për këta tanët, meqë asnjëri, ama bash asnjëri, ende nuk na thirri, asnjërin prej neve dyve, as në ditën kur filloi muaji i tretë i moskokëçarjes së tyre. Thua se këta prokurorë populli ynë i varfër po i paguan veçse për t’u bërë fresk kriminelëve?!”, ka shkruar Kurti.

Më 25 prill të këtij viti Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Glauk Konjufca, kanë dorëzuar sot në Gjykatën e Prishtinës një kallëzim penal ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, për dëshmitë e tyre të dhëna në një seancë gjykimi ndaj organizatës ‘Syri i Popullit’, para katër muajsh.

Për Kurtin, Thaçi e Veseli, kur kanë dalë për të dëshmuar para gjykatës, kanë bërë “deklarime të rrejshme nën betim”.

“Këta dy njerëz që ndodhen në pozitat më të larta, kanë rënë nën pozitat më të ulëta”, kishte thënë Kurti para ndërtesës së Gjykatës në Prishtinë, pasi bashkë me Konjufcën dorëzuan kallëzimin penal.

Më 28 dhjetor 2018, Thaçi në dëshminë e tij në gjykatë kishte thënë se Kurti e Konjufca qëndrojnë para organizatës e cila akuzohet se e plagosi avokatin kosovar, Azem Vllasi.

Në mesin e të akuzuarve në këtë rast është edhe ish-zyrtari i VV-së, Sadri Ramabaja.

Ndërsa Kadri Veseli, e kishte quajtur organizatën ‘Syri i Popullit’ si ‘krah i armatosur i Vetëvendosjes’.

https://kallxo.com/kurti-e-konjufca-dorezojne-kallezim-penal-ndaj-thacit-e-veselit-per-syrin-e-popullit/

https://kallxo.com/hashim-thaci-pas-organizates-qe-plagosi-azem-vllasin-qendron-albin-kurti-e-glauk-konjufca/

https://kallxo.com/kadri-veseli-per-syrin-e-popullit-keta-jane-krahu-i-armatosur-i-vetevendosjes/