Kurti: Protestë për t’u Çliruar

“Kjo që po ndodh nuk është sundim i ligjit,por zullum i Maliqit,” tha Kurti në një konferencë të “Vetëvendosjes” për gazetarë.

Që nga mbrëmë janë arrestuar tetë aktivistë të këtij subjekti politik- Fatmir Kurtaj, Frashër Krasniqi, Glauk Konjufca, Kasim Uka, Kujtim Kosumi, Kushtrim Zeqiri, Pajtim Demaj dhe Skender Merturi.

Arrestimet lidhen me një aksion të “Vetëvendosjes” të vitit 2009, kur qenë kthyer mbrapsht makinat e EULEX-it.

“Preteksti i rrotullimit të 25 xhipave të EULEX-it. Ne përmes atij aksioni protestuam kundër protokollit policor që e ka nënshkruar EULEX-i me Sebinë,” sqaroi Kurti në konferencë.

27 aktivistë të “Vetëvendosjes” janë të akuzuar për këtë aksion, por ata nuk po paraqiten në seancë.

http://kallxo.com/shtyhet-per-here-te-peste-seanca-e-vandalizimit-te-makinave-te-eulex-it/

Kurti tha se arrestimet po ndodhin për ta zbehur protestën.

“Mbrëmë dhe sot në mëngjes fushatë policore kundër aktivistëve të “Vetëvendosjes”. Një ditë para protestës, pushteti në panik përmes çdo aparati shtetëror. Këto janë metoda fashiste që ta zbehin protestën e nesërme. E nëse e duan këtë, këto janë arrestime te vonuara ngase protesta do ta thyejë edhe rekordin e 9 janarit!” tha Kurti.

Ai deklaroi se protesta e nesërme “është protestë për t’u çliruar”.

Edhe vetë Kurti nuk u paraqit në seancën e djeshme për akuzat rreth hedhjes së lotsjellësit në seancat e Kuvendit. Ai e arsyetoi mospraninë e tij me përgatitjet për protestë.

“Unë kam qenë duke punuar për protestën e 17 shkurit, ku po përpiqemi ditën ta bëjmë 25 orë,” tha Kurti.

Kurti tha se në përgatitje për protestë është përfshirë edhe Dardan Molliqaj, i kërkuari nga policia për veprimet e tij në protestën e 27 janarit të vitit të kaluar.

“Në angazhim të protestës është angazhuar edhe Dardan Molliqaj, por nuk e di prej ku dhe si, e as nuk e di se a do të jetë nesër më protestë,” tha Kurti.

Policia reagoi sot ndaj deklaratës së kryetarit të Lëvizjes “Vetëvendosje” Visar Ymeri që forcat e rendit i quajti të Isa Mustafës e Hashim Thaçit, duke thënë se policia është e Kosovës dhe nuk është as e Thaçit, as e Mustafës e as e Visar Ymerit.

http://kallxo.com/arrestimet-ringjallin-polemikat-vetevendosje-polici/