Albin Kurti e Boiken në konferencë për gazetarë | Foto: KALLXO.com

Kurti: Protestë Paqësore e Njerëzve të Shqetësuar

Në një konferencë për gazetarë Albin Kurti tregoi arsyet pse “Vetëvendosja” do të protestojë nesër.

“Vetëvendosje ka paralajmëruar demonstratë gjithëpopullore nesër sepse ne nuk mund të lejojmë legjitimimin e krimit brenda Kuvendit të Kosovës. Qindra manifestime qytetare në protesta e demonstrata nga qytetarët, e mbi 200 mijë nënshkrime tregojnë se e drejta dhe fuqia janë në anën tonë,” tha Kurti.

Opozita në tetor të vitit të kaluar mblodhi mbi 200 mijë nënshkrime kundër marrëveshjeve të demarkacionit dhe asociacionit të nënshkruara në Bruksel e Vjenë më 25 e 26 gusht 2015.

http://kallxo.com/200-mije-nenshkrime-megjithate-hyjne-ne-parlament/

Kurti tha se “Vetëvendosja” nuk do të lejojë humbje territori.

“Kjo do të vie në shprehje nesër në Sheshin ‘Skënderbe’ në Prishtinë. Nuk mund të heqim dorë nga ajo pjesë e territorit që ka peshë të madhe për historinë e vendit,” tha Kurti.

Ai bëri të ditur se protesta do të jetë paqësore, por tha se njerëzit që do të marrin në të janë të shqetësuar.

“Kjo është protestë paqësore, por jo e qetë se ne jemi të shqetësuar e njerëzit e shqetësuar nuk mund të jenë të qenë,” tha Kurti.

Në konferencë u shfaq edhe aktivisti Bojken Abazi, të cilit i ishte ndaluar hyrja në Kosovë për dy vjet, pasi u dëbua nga Kosova më 16 mars të këtij viti.

http://kallxo.com/boiken-abazi-deportohet-nga-kosova/

Abazi nuk tregoi se si dhe nga cila pikë kufitare hyri në Kosovë. “Refuzoj të tregoj nga cila pikë kufitare kam kaluar për shkak te ndihmës së policit,” tha Abazi.

Ndërsa Kurti tha se Abazi është i pafajshëm.

“Boikeni u pat dëbuar padrejtësisht dhe ne kemi bërë padi. Janë bërë 130 ditë, më shumë se 4 muaj e gjykata as nuk ka filluar ta trajtoj këtë rast. Për neve ka qenë gjithmonë i pafajshëm, po me kalimin e 130 ditëve ky është i pafajshëm edhe për sistemin e drejtësisë. Ne e kemi fituar moralisht e ligjërisht këtë çështje,” tha Kurti.