
Kurti paralajmëron Thaçin që menjëherë ta caktoj datën e zgjedhjeve
Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka kërkuar nga presidenti i vendit Hashim Thaçi që menjëherë të thërret takimin me përfaqësuesit e partive politike në vend për ta caktuar datën e zgjedhjeve.
Këto deklarata Kurti i bëri në një konferencë për media një ditë pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, pas ftesës që i njëjti ka marrë nga Gjykata Specialë në cilësinë e të dyshuarit.
“Ish-kryeministrin e kemi paralajmëruar se sa ma afër gjarprit aq më i rrezikuar je. E kemi lutur kryeministrin të mos e mbështes demarkacionin me Malin e Zi. E kemi lutur që t`ia ndalojë presidentit Thaçi pazaret me territorin e shtetit, na shpërfilli. Presidenti Thaçi duhet të na thërras për ta caktuar datën e zgjedhjeve, kaq! I bëj thirrjeve të mos e zvarris procesin për zgjedhje të lira. Qeveria duhet të bëhet me qeveri të re, dhe këtë duhet ta vendosin qytetarët”, deklaroi Kurti.
Sipas tij, qytetarët sot janë duke i vuajtur pasojat e qëndrimeve të qeverisë të cilat ai i ka quajtur të liga.
“Sot ne i vuajmë pasojat e qëndrimeve të liga dhe vendimeve të gabuara vite më parë kur zyrtarë të lartë, politikanë e deshën më shumë veten se vendin, ia bënë Kosovës gjykatën. Askush nuk e di se kush do të akuzohet apo dënohet. Ish -kryeministri as nuk është akuzuar, as dënuar, por do të intervistohet si të gjithë ish-komandantët e tjerë. Duket se janë intervistat edhe politikanë të tjerë e zyrtarë të lartë shtetëror, por që nuk kanë dashur që këtë ta bëjnë publike. Dallimi është në Kosovë e jo në Hagë. Shpresa është të zgjedhjet te liria te demokracia dhe Vetëvendosja”, tha Kurti.
Haradinaj dha dorëheqje në mbledhjen e Qeverisë duke thënë se në Gjykatën Speciale nuk mund të shkojë si kryetar i Qeverisë së Kosovës.
Historiku i Gjykatës Speciale
Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.
Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.
Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.
Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.
Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme, e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.