Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti - Foto: KALLXO.com

Kurti: Në Telekom janë bërë krime por jo hetime

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se gjendja e Telekomit të Kosovës është si pasojë e krimit që është bërë në të.

“Në Telekom janë bërë krime dhe nuk janë bërë hetime. Në Telekom nuk janë lejuar investimet dhe vazhdimisht Telekomi është kërcënuar me privatizim. Telekomi i Kosovës edhe mund të shpëtohet edhe te zhvillohet. Prokuroria të veprojë menjëherë. Pra, është e mundshme edhe të shpëtohet edhe të zhvillohet”, tha Kurti në një konferencë për media.

Ismet Hamiti, njohës i telekomunikacionit, tha se ai që mund ta shpëtojë Telekomin e Kosovës është Prokuroria e Shtetit.

Sipas tij gjendja e Telekomit është e keqe për shkak se siç theksoi ai, Telekomin e Kosovës e kanë plaçkitur.

“Ata fillimisht kanë mënjanuar kuadrot më të mirë të Telekomit, dhe janë zëvendësuar me individë të kontrollueshëm nga këto grupe joformale, të padijshëm dhe me prirje kriminale. Rezultat i kësaj ata krijuan mundësinë për plaçkitjen përmes skemave dhe kontratave të dëmshme dhe me arbitrazhe të inskenuara. Të gjitha këto e sollën Telekomin në këtë gjendje që është. Ata krijuan edhe skemën e fundit operator virtual mobil, që njihet me emrin Z mobile”, tha Hamiti.

Sipas Hamitit, prokuroria është e vetëdijshme për krimet që janë bërë kundër Telekomit.

“Prokuroria dëshiron ta amnistojë edhe pse ky rast është shkollor i një krimi që është lehtësisht i provueshëm. Përkundër kësaj prokuroria nuk vepron dhe ky është shkaku që më shtynë ta përsëris edhe një herë se prokuroria e ka në dorë ta shpëtoj Telekomin. Vetëm duhet ta kryejë punën e saj”, tha Hamiti.