Foto: Albin Kurti/Facebook

Kurti në Tel Aviv kërkon njohjen e pavarësisë së Kosovës

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është duke qëndruar në Tel Aviv, kryeqytetin e Izraelit, ku është duke u mbajtur takimi i Internacionales Socialiste.

Në këtë takim, ku u diskutua për sfidat e së majtës dhe krizat ndërkombëtare, Kurti ka thënë se u diskutua edhe për nevojën që të njihet Republika e Kosovës.

“Nga Angola dhe Mali te Franca dhe Belgjika, nga Brazili dhe Paraguaji te Meksika, nga Italia dhe Greqia te Filipinet, nga Palestina te Izraeli, patëm bashkëbisedime të hapura, impresive dhe të vlefshme”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Më poshtë gjeni fjalimin e Kurtit në ditën e dytë të këtij takimi në Tel Aviv:

Izraeli është shumë shtet, është më shumë se shtet. Palestina është pak shtet, është më pak se shtet. Kërkesa për zgjidhjen me dy shtete është shprehje e kërkesës për barazi.

Shumë politikanëve e partive, regjimeve të ndryshme anekënd globit, u bëjmë favor kur i quajmë populistë. Sepse shpesh ata janë veçse racistë ose fashistë ose edhe të dyja këto.

Sikurse çlirimi edhe zhvillimi vjen nga brenda. Mund të ndihmohet prej jashtë, por nuk nis dot prej jashtë. Kësisoj edhe mirëmbahet qasja nga poshtë-lart, nëpërmjet së cilës ruhet prioriteti i socio-ekonomisë mbi gjeopolitikën e që është detyrë e të majtës kudo e kurdo.