Kurti: Në rastin 'Maxhuni ka ndërhyrje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka kritikuar emërimet të cilat i ka bërë presidenti në dy institucione, atë të Agjencisë për Inteligjencë ku është emëruar drejtor Shpend Maxhuni dhe atë të Policisë ku është emëruar Rashit Qalaj.

Këto kritika i ka drejtuar pas rastit të raportuar në media për ndalimin e djalit të Shpend Maxhunit, Shpëtim Maxhunit dhe gjetjen e një arme dhe lëndëve narkotike nga ana e policisë.

Sipas Kurtit, shpërputhjet midis deklaratave të policisë dhe prokurorisë në rastin “Maxhuni” janë dëshmi se në këtë rast ka ndërhyrje.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të Albin Kurtit:

Emërimi i drejtorit të AKI-së dhe drejtorit të Policisë së Kosovës, janë direktiva të Presidentit të pranuara nga Kryeministri, i cili nuk dimë se çfarë mori si shpagim në pazar. Kur Kryeministri thotë t’ia lëmë këtë çështjen ‘Maxhuni’ organeve të rendit a sistemit të drejtësisë, ai po thotë “na e leni këtë punë neve”, thua se bëhet fjalë për çështje private dhe jo publike.

Kapësit e shtetit e kanë ndarë popullsinë në familjarët e tyre të paprekshëm dhe qytetarët e tjerë të pambrojtur. Paanshmëria, objektiviteti dhe profesionalizmi i organeve shtetërore matet pikërisht në raste të këtilla siç ishte ai ‘Maxhuni’ i 12 tetorit (i publikuar vetëm një javë më pas), e jo në rastet e hajnave të pulave. Shpërputhjet midis deklaratave të policisë dhe prokurorisë në rastin ‘Maxhuni’ janë dëshmi e ndërhyrjeve nga lart.

Kosova nuk ka nevojë vetëm për reformë të drejtësisë, por edhe për reformë të sigurisë. Pra, Kosovës i nevojitet jo vetëm reforma e vetingu i gjyqësorit dhe prokurorisë, por edhe ai i policisë dhe inteligjencës. Reformat në organet e rendit e të sigurisë nuk bëhen me rokada dostash që kryejnë favore private nga pozitat publike.

Në polici ka njerëz të mirë e me integritet, profesionistë e patriotë, por ata mbi kokë i kanë të këqinjtë, kapësit e shtetit, pushtetin që i shërben vetvetes, familjarëve të tyre e miqve biznesmenë. E, me të tillët nuk ka as drejtësi e as siguri.

https://kallxo.com/prokurorja-qe-ia-mbylli-lenden-per-droge-djalit-te-prokurorit-heton-rastin-e-djalit-te-shpend-maxhunit/

https://kallxo.com/provat-e-policise-per-armen-dhe-drogen-ne-makinen-e-djalit-te-shpend-maxhunit/

 

 

www.KALLXO.com