Albin Kurti në Kuvend - Foto: KALLXO.com

Kurti: Në Kosovë ka shumë krim, por asnjë ministër i Drejtësisë nuk u shkarkua

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka shtruar një pyetje nga foltorja e Kuvendit.

Ai ka pyetur se si është e mundur që në Kosovë ka kaq shumë krim e dështim të drejtësisë dhe asnjëherë asnjë ministër nuk është dorëhequr apo shkarkuar për këtë?

“Si bëhet që Kosova ka kaq shumë krim, korrupsion e dështim të drejtësisë dhe ministrat e drejtësisë kurrë nuk u shkarkuan apo u dorëhoqën, asnjëherë. Kjo ndodhë sepse në Kosovë nuk ka sistem të drejtësisë, sepse drejtësia është aksident, sepse padrejtësia është sistem, sepse në Kosovë ka sistem të padrejtësisë. E kjo ndodhë sepse krimi është në sistem”, tha Kurti.

Ai gjithashtu gjatë fjalimit të tij ka bërë edhe një krahasim, duke thënë se në Kosovë Gjykatat janë të varura nga Qeveria dhe jo nga shteti.

“Gjykata duhet të jetë në një shtet demokratike e pavarur nga Qeveria, por jo nga shteti. E kundërta vlen në Kosovë. Kemi gjykata e gjykatës të pavarur nga shteti i Kosovës, përfshi këtu edhe Eulexit, por aq të varur nga Qeveria e nga regjimi në fuqi”, u shpreh tutje Kurti.

Problem tjetër për Kurtin janë edhe dëshmitarët, të cilët ndryshe flasin në gjyq e ndryshe në kafiteri.

“Problemi janë edhe dëshmitarët të cilët dihen se si flasin në kafiteri, por jo edhe në sallë të gjyqit, madje deklaratat ndryshohen pa pasojë në gjyq”, tha në mes tjerash Kurti.

Kurti gjithashtu, ka kërkuar edhe trajnime për gjykatësit dhe prokurorët në Kosovë si dhe ka kërkuar që të riorganizohet provimi i jurispodencës.