Albin Kurti | Foto: Lëvizja Vetëvendosje

Kurti: Me “demarkacionin Meha” me Malin e Zi ka marrë n'thu Kosova

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se janë bërë tetë muaj që nga miratimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi e edhe pse ishte thënë se do të bëhej korrigjimi i kësaj marrëveshjeje, ajo ende nuk ka ndodhur.

“Haradinaj megjithatë i bëri thirrje partisë së vet që ta votojnë demarkacionin, sepse shumë shpejt do të bëhej korrigjim i kufirit dhe Çakorri, Bjelluha e Kulla e Zhlepit do t’i ktheheshin Kosovës. Ne ua thamë në sy atëherë – kjo ishte rrenë”, ka shkruar Kurti në Facebook. 

Kurti ka shtuar se tashmë Mali i Zi ka filluar të abstenojë në disa forume ndërkombëtare ku duhet vota në mbështetje të Kosovës, siç bëri në asamblenë e ENTSO-së.

“Me “demarkacionin Meha” me Malin e Zi ka marrë n’thu shteti i Kosovës, integriteti territorial dhe institucional i tij, dhe tash rrezikon të rrëzohet përdhe. Më 21 mars 2018, shpëtoi Thaçi si nënshkrues i faljes së 8.200 hektarëve, dhe e fitoi fuqinë politike për pazare territoriale me Vuçiqin. Po të mos i nënshtrohej Haradinaj Thaçit para tetë muajsh, tashmë do të ishte rrëzuar Thaçi e asnjëherë Kosova”, ka thënë Kurti.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të Albin Kurtit:

Sot u bënë tetë muaj nga ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, një marrëveshje e padrejtë dhe tradhtare që ia mori Kosovës 8.200 hektarë të cilët na takonin sipas të gjithë dokumentave paraprakë dhe sipas argumentëve të shkencëtarëve e studiuesve.

Që Kosova i humbi 8.200 hektarë e pranuan mandej edhe partizanët e kësaj marrëveshjeje, të cilët më vonë deshën ta mbështesin pikërisht te ky precedent idenë e marrë të Thaçit për t’ia dhuruar Serbisë veriun e Kosovës.

Por që Kosova humbi tokën e saj e pranoi dhe vetë kryeministri Haradinaj, i cili më përpara kishte protestuar bashkë me ne kundër këtij demarkacioni. Haradinaj megjithatë i bëri thirrje partisë së vet që ta votojnë demarkacionin, sepse shumë shpejt do të bëhej korrigjim i kufirit dhe Çakorri, Bjelluha e Kulla e Zhlepit do t’i ktheheshin Kosovës. Ne ua thamë në sy atëherë – kjo ishte rrenë. Megjithatë ata përmes mashtrimit të deputetëve dhe dhunës së shumicës së montuar parlamentare, e kaluan këtë marrëveshje tradhtare.

Ku është korrigjimi tani? Do të niste pas pak kohësh, por ja ku u bënë tetë muaj!

Si të mos mjaftonte kjo, Mali i Zi ka nisur të abstenojë në disa forume ndërkombëtare ku duhet vota në mbështetje të Kosovës, siç bëri në asamblenë e ENTSO-së.

Me “demarkacionin Meha” me Malin e Zi ka marrë n’thu shteti i Kosovës, integriteti territorial dhe institucional i tij, dhe tash rrezikon të rrëzohet përdhe. Më 21 mars 2018, shpëtoi Thaçi si nënshkrues i faljes së 8.200 hektarëve, dhe e fitoi fuqinë politike për pazare territoriale me Vuçiqin. Po të mos i nënshtrohej Haradinaj Thaçit para tetë muajsh, tashmë do të ishte rrëzuar Thaçi e asnjëherë Kosova.