Albin Kurti në Kuvend | Foto: KALLXO.com

Kurti kritikon Qeverinë, Prokurorinë dhe Policinë për gjendjen në Telekom

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se Telekomin e Kosovës e ka rrethuar krimi i organizuar duke bërë kështu që kjo ndërmarrje të jetë buzë shkatërrimit.

Gjatë interpelancës së kryeministrit Ramush Haradinaj për gjendjen financiare në ndërmarrjet publike të Telekomit dhe të Postës së Kosovës, Kurti propozoi një Rezolutë për daljen nga kriza për këto ndërmarrje publike.

“Lëvizja vetëvendosje propozon një Rezolutë që i ka 12 pika. Këto pika janë ato që e nxjerrin telekomin prej krizës. Nuk ka dështuar Telekomi por ka dështuar shteti. Nuk ka falimentuar telekomi por po falimenton shteti, përkatësisht prokuroria dhe policia”, tha Kurti.

Ai tha se ka shumë krime që i kanë ndodhur Telekomit të Kosovës me lidhje të kontratave me këtë operatorë publik.

“Kulmi i krimit të organizuar në Telekomin e Kosovës është kontrata me Dardafonin përkatësisht tani Z Mobile, kontratë kjo që është aktuale dhe dëmet e së cilës vazhdojnë të thellohen. Kontrata ligjore me Z. Mobile ja plaçkit çerekun e të hyrave Telekomit të Kosovës”, tha Kurti.

Ai tha se duhet të shikohet edhe kontrata e Telekomit me Art- Motion që, sipas tij, është në pronësi të Devollëve si dhe objektet e lëshuara me qira të kësaj kompanie.

“Kemi informacionin që Devollët e kanë një partner në Qipro. Ndërkohë dihet që ata nuk bëjnë investime në Z-Mobile. Kur t’u nevojitet një investim e marrin një partner por përderisa nuk të nevojitet për investime pse e merr partnerit ekonomik. Unë dyshoj që kjo ka të bëjë me haraçin që ata i paguajnë dikujt në Kosovë”, tha Kurti.