Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti - Foto: KALLXO.com

Kurti: Kosova asnjëherë më larg BE-së, zgjedhjet si zgjidhje

Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit ka thënë se viti 2018 është vit i dështimit për Kosovën drejt Bashkimit Europian.

Ai ka thënë se Kosova është në një krizë politike dhe si zgjidhje të kësaj Kurti ka përmendur shpalljen e zgjedhjeve nacionale.

“Viti 2018 shënoi humbjen edhe të një viti tjetër të rrugëtimit drejt qëllimit europian për Kosovën. U bëjmë thirrje miqve tanë që të mos izolojnë qytetarët e Kosovës por pushtetin e korruptuar. Jemi në një krizë politike, dhe ka vetëm një zgjidhje, shpallja e zgjedhjeve nacionale për të kërkuar mbështetjen e qytetarit. Viti 2018 është vit i dështimit për Kosovën drejt BE-së. Nëse viti 2018 ishte vit i dështimit të Kosovës, dita e sotme, 9 dhjetori është Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, i cili është si betejë institucionale e shoqërore për t’u rikthyer në rrugën europiane”, theksoi Albin Kurti në një konferencë për media.

“Sot ne e shohim se vendi ynë asnjëherë nuk ka qenë më larg BE-së, niveli i zbatimit të reformave europiane asnjëherë nuk ka qenë më i ulët, ndërsa Kosova asnjëherë më e izoluar”, është shprehur Kurti.

Më tej kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka deklaruar se asnjëherë asnjë ministër i Drejtësisë nuk është shkarkuar apo nuk ka dhënë dorëheqje edhe pse në Kosovë ka pasur korrupsion.

“Si bëhet që ka kaq shumë korrupsion e asnjë ministër i Drejtësisë nuk u shkarkua e nuk dha dorëheqje asnjëherë. Ka ministër të Drejtësisë por nuk ka drejtësi, ka ministër të Integrimeve Europiane por nuk ka integrim europian”, ka thënë Kurti.

Kurti ka përmendur edhe premtimet e parealizuara të Thaçit dhe Haradinajt për liberalizim të vizave.

“Para një dekade presidenti i sotëm, asokohe kryeministër, pati premtuar se brenda 15 muajve do të kishte liberalizim të vizave, e kryeministri i sotëm pati premtuar liberalizim të vizave brenda 3 muajve. Që të gjithë këta me në krye Thaçin janë gënjeshtarë e mashtrues. Asnjëri prej tyre nuk jep dorëheqje. Populli ynë nuk i meriton këta”, ka potencuar Kurti.

I pari i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se ky koalicion qeverisës që kemi aktualisht jo vetëm që nuk e ka luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar por ka shkuar edhe më larg se kaq duke kapur të gjitha institucionet shtetërore, ndërmarrjet publike, agjencitë e pavarura dhe shërbimin e civil.

“Tash ky sistem i drejtësisë nuk ka dhënë asnjë aktgjykim të formës së prerë për rastet e korrupsionit të profilit të lartë dhe për këtë nuk mund ta fajësojmë BE-në apo zyrtarët e tij, faji është te ky koalicion qeverisës. Përgjegjësia duhet të ketë një emër, është ky koalicion qeverisës që erdhi me trumpetimin e reformave dhe marrjen e vendimeve të mëdha dhe nuk e bëri asnjërën, përveç se dështoi në tërësi në agjendën evropiane të vendit tonë. Sot mund ta konfirmojmë se Kosova ka shënuar regres të paprecedent në reformat evropiane”, ka theksuar Kurti.