Albin Kurti në tubimin për Astrit Deharin | Foto: KALLXO.com

Kurti: Këtu Vdiq një i Pafajshëm

Duke iu drejtuar të pranishmëve në tubimin para Qendrës së Paraburgimit në Prizren të zhvilluar nga Lëvizja “Vetëvendosje” për të kërkuar drejtësi për Astrit Deharin, Albin Kurti tha se “në këtë burg vdiq një i pafajshëm”.

Kurti më tutje deklaroi se “mbi Astritin është kryer krimi prej ditës kur është arrestuar deri në vdekjen e tij”.

Kurti kërkoi që “populli të angazhohet për drejtësi për Astritin”.

“Astriti nuk ka vdekur nga medikamente, ai ka vdekur nga ngulfatja,” tha Kurti.

Me fjalimin e Kurtit edhe përfundoi tubimi i sotëm para Qendrës së Paraburgimit në Prizren, ndërsa organizatorët paralajmëruan edhe tubime tjera të tilla.

Astrit Dehari vdiq në rrethana të pasqaruara në Qendrën e Paraburgimit në Prizren të shtunën e kaluar. Ai po mbahej i paraburgosur për më shumë se dy muaj, si njëri nga të dyshuarit për sulmin në Kuvend më 4 gusht.