Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti - Foto: KALLXO.com

Kurti kërkon të dijë çfarë ka ndodhur me kallëzimin penal ndaj Thaçit dhe Veselit

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka shkruar se sot është  bërë një muaj që kur kanë paraqitur kallëzim penal ndaj presidentit të Kosovës dhe Kryetarit të Kuvendit.

Kurti nëpërmjet një letre të hapur, ka thënë se ky mosveprim e mosinformim i paraqitësve të kallëzimit penal është presion i drejtpërdrejtë mbi qytetarët për të heshtur para krimit institucional, sidomos ndaj atyre që ndodhen në majat e institucioneve shtetërore.

“Askush nga Prokuroria nuk na thirri asnjërin prej nesh. Ne nuk dimë nëse është marrë Aktvendim për hapjen e hetimeve. Nëse ka filluar marrja në pyetje e dëshmitarëve. Përkundër faktit që jemi palë në procedurë dhe sipas Kodit të Procedurës Penale të Kosovës kemi të drejtë të jemi të informuar në lidhje me procesin – ne nuk kemi asnjë informatë deri më tash”, ka thënë Kurti.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Glauk Konjufca, kishin dorëzuar në prill në Gjykatën e Prishtinës një kallëzim penal ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, për dëshmitë e tyre të dhëna në një seancë gjykimi ndaj organizatës ‘Syri i Popullit’, para katër muajsh.

Më 28 dhjetor 2018, Thaçi në dëshminë e tij në gjykatë kishte thënë se Kurti e Konjufca qëndrojnë para organizatës e cila akuzohet se e plagosi avokatin kosovar, Azem Vllasi.

Në mesin e të akuzuarve në këtë rast është edhe ish-zyrtari i VV-së, Sadri Ramabaja.

Letra e plotë e Kurtit:

Sot u bë një muaj nga dita e paraqitjes së kallëzimit tonë penal kundër Presidentit të Kosovës dhe Kryetarit të Kuvendit. Më 25 prill 2019, në Departamentin për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë bëmë kallëzim penal kundër z. Hashim Thaçi dhe z. Kadri Veseli, për lajmërim apo kallëzim të rremë, sipas kuptimit të Nenit 382, par. 1, 2 dhe 4, dhe deklaratë të rreme nën betim, sipas kuptimit të Nenit 383, par. 1 dhe 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) Nr. 06/L-074. Askush nga Prokuroria nuk na thirri asnjërin prej nesh.

Ne nuk dimë nëse është marrë Aktvendim për hapjen e hetimeve. Nëse ka filluar marrja në pyetje e dëshmitarëve. Përkundër faktit që jemi palë në procedurë dhe sipas Kodit të Procedurës Penale të Kosovës kemi të drejtë të jemi të informuar në lidhje me procesin – ne nuk kemi asnjë informatë deri më tash. 30 ditë heshtje varri, asnjë veprim, asnjë informatë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Ky mosveprim e mosinformim i paraqitësve të kallëzimit penal është presion i drejtpërdrejtë mbi qytetarët për të heshtur para krimit institucional, sidomos ndaj atyre që ndodhen në majat e insitucioneve shtetërore.

Por, kështu nuk mendon edhe prokuroria, thua se nuk është aty për të luftuar krimin, por për ta mbrojtur atë nga qytetarët. Veprimin e hapjes së hetimeve për deklaratat në seancën gjyqësore të datës 28 dhjetor 2018 sipas detyrës zyrtare si detyrim ligjor duhej ta bënte prokurori i rastit. Heshtje. E nëse nuk është tamam heshtje, është veçse fërkim duarsh. Mund të ndodhë që interesimi ynë për veprimet e ndërmarra nga Prokuroria për rastin të kualifikohet si ndërhyrje në drejtësi. Porse ky është refreni i njohur i papërgjegjësisë institucionale që flet kur s’duhet, meqë nuk vepron kur duhet. Ne po presim. Dhe, nuk do të heshtim.