Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti - Foto: KALLXO.com

Kurti: Jemi të interesuar që sa më shpejt të shkojmë në zgjedhje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se përmes tryezës e cila do të mbahet të premten në Kuvendin e Kosovës me temën “Zgjidhja nëpërmjet zgjedhjeve” synohet zgjidhja për krizën në të cilën gjendet qeveria me vetëm 52 deputetë në Kuvend.

“Ne besojmë që kjo qeveri nuk është më legjitime për shkak se nuk e ka shumicën minimale të domosdoshme në shtetin tone që është Republikë parlamentare. Jemi të interesuar që sa më shpejtë të shkojmë në zgjedhje të reja parlamentare”, ka theksuar Kurti.

Më tej ai tha se Lëvizja Vetëvendosje beson që sa më shpejtë të largohet kjo qeveri aq më mirë është për Kosovën.

“Në vendimet që i ka marrë kjo qeveri duket qartë se kryeministri aktual Haradinaj më shumë ka qenë ushtrues detyre i kryeministrit se sa kryeministër”, potencoi kryetari i VV-së.

Në konferencën për shtyp të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Kurti tha se ftesat janë dërguar dhe se shpreson që të premten të gjithë ata që janë ftuar do të jenë pjesë e tryezës.

Ndër të tjera Albin Kurti theksoi se Vetëvendosja nuk është e ndarë dhe se ka pasur vetëm dalje nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Lëvizja Vetëvendosje kurrë nuk ka qenë më unike dhe më e fuqishme në mbështetjen qytetare. Le t’i mbajmë zgjedhjet parlamentare dhe do ta shihni”, tha ai.

Njëra ndër temat për të cilat edhe ishte thirrur kjo konferencë ishte dialogu i Kosovës me Serbinë. I pari i VV-së prezantoi planin 4+1 për dialogun me Serbinë.

“Tema aq shpesh riaktualizohet nga pushteti sa që përherë mbahet si prioritet sigurisht që është ajo e dialogut me Serbinë. Së fundmi e kanë paralajmëruar edhe finalen e madhe të dialogut, mbase kjo do të jetë edhe një çerekfinale tjetër e vogël nëse do të jetë pa një plan 4+1 siç e kemi quajtur ne”, tha Kurti.

Kurti tha se para një dialogu të ri me Serbinë është e domosdoshme që të bëhet bilanci shtetëror i dialogut 2011 – 2017, të raportohet në Kuvend dhe të ketë debat parlamentar.

“Ka pasur shumë investim, pak kthim dhe pak transparencë. 33 marrëveshje i ka nënshkruar Kosova me Serbinë në dialogun gjashtë vjeçar, shumica dërmuese e tyre nuk janë realizuar, në veçanti duhet theksuar bllokimin që na e bën Serbia në fushën e energjisë elektrike, në urën mbi Ibër në Mitrovicë, në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe në reciprocitetin e njohjes së diplomave”, potencoi Kurti.

Sipas tij ka edhe marrëveshje të arritura me kundër efekt siç është fusnota në emërtimin e shtetit.

Një tjetër element i planit 4+1 të prezantuar nga Kurti është edhe dialogu i brendshëm, i hapur e demokratik në institucione dhe në shoqërinë tonë,

“Dialogu i brendshëm duhet të zhvillohet me kategoritë e ndryshme shoqërore dhe grupe të interesit si dialog prej poshtë, për shembull me shoqatat e familjeve të të pagjeturve, shoqatën e ish të burgosurve politikë, komunitetin e biznesit, kryetarët e komunave të Kosovës, pakicat kombëtare etj”, tha Kurti.

Po ashtu sipas këtij plani duhet të zhvillohet edhe një dialog me BE-në për dialogun me Serbinë, për natyrën, përmbajtjen dhe qëllimin e atij dialogu.

“Nuk mund të vazhdohet me dy kuptimësinë kreative, me ç’rast për vetë emërtimin e dialogut pra për normalizimin e marrëdhënieve në Prishtinë, në Beograd dhe në Bruksel kemi së paku tri kuptime të ndryshme. Po ashtu vetë procesi herë quhej dialog teknik e herë dialog politik, herë bisedime e madje edhe negociata. Duhen sqaruar shprehjet dhe objektivat si dhe përfitimet e Kosovës në integrimin euroatlantik, ndërlidhja me procesin e Berlinit dhe kalimin e nga normalizimi i marrëdhënieve te fqinjësia e mirë”, tha në konferencën për shtyp, Albin Kurti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje.

Në fund Kurti përmendi që duhet të ketë pajtueshmëri që në dialog nuk mund të përfshihen emrat e Hashim Thaçit dhe Edita Tahirit.