Albin Kurti - Foto: Facebook

Kurti ironizon me vonesat e Prokurorisë së Shtetit

Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, nuk i ka ‘pëlqyer’ vonesa e Prokurorisë së Shtetit për të trajtuar kallëzimin penal që ai dhe bashkë partiaku i tij Glauk Konjufca e kanë dorëzuar në muajin prill të këtij viti.

Duke ironizuar me vonesën e Prokurorisë së shtetit, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka shkruajtur një skenar në të cilin deputeti Konjufca thirret nga prokuroria për të dhënë deklaratë për kallëzimin penal.

E për të ilustruar më mirë këtë ironi, Kurti ka përdorur një fotografi të Konjufcës në të cilën ai shihet me telefon në dorë sikur është duke biseduar me dikë.

E krejt në fund të kësaj bisede, Kurti sqaron se kjo është e gjitha vetëm një skenar, duke theksuar se nuk ka arsye për vonesa të tilla.

Më poshtë keni të plotë skenarin e Kurtit për bisedën me prokurorinë e shtetit:

– Alo, mirëdita.

– Mirëdita.

– Unë jam Zana nga Prokuroria e Shtetit të Kosovës. Po flas me deputetin e Kuvendit të Republikës, z. Glauk Konjufca?

– Po, unë jam.

– Prokurori i Shtetit ju kërkon të vini për një bisedë lidhur me Kallëzimin Penal që keni bërë me datë 25 prill 2019, në Departamentin për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. Na vjen keq që nuk ju kemi thirrur më herët, por a mund të vini nesër, të premten, në ora 10:00?

– Ka tre muaj që pres këtë thirrje. Sigurisht që do të vij. Bëhet fjalë për Kallëzimin tonë Penal ndaj Presidentit dhe Kryeparlamentarit, që kanë gënjyer dhe shpifur nën betim në gjykimin kundër të ashtuquajturit “Syri i Popullit”, apo jo?

– Po, ashtu keni thënë në Kallëzim Penal.

– Aty do të jem. Ju falemnderit. A e keni ftuar edhe Albin Kurtin?

– Po, porsa mbarova bisedën me të. Edhe ai do të vijë.

– Shumë mirë. Atëherë mirupafshim nesër.

– Mirupafshim. Ju falemnderit z. Konjufca.

* * *

Thjesht dhe qartë. Vetëm sikur të ishte edhe e vërtetë.

Kjo nuk është hera e parë që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti reagon ndaj vonesës së Prokurorisë së Shtetit për këtë rast, më 25 qershor të këtij viti, Kurti ka publikuar një status të cilin e ka titulluar “prokurorë me flladitëse”.

Më 25 prill të këtij viti, Kurti së bashku më Konjufcën dorëzuan në prokurorinë e shtetit një kallzim penal ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, për dëshmitë e tyre të dhëna në një seancë gjykimi ndaj organizatës ‘Syri i Popullit’, më 28 dhjetor të viti të kaluar.

https://kallxo.com/hashim-thaci-pas-organizates-qe-plagosi-azem-vllasin-qendron-albin-kurti-e-glauk-konjufca/

https://kallxo.com/kadri-veseli-per-syrin-e-popullit-keta-jane-krahu-i-armatosur-i-vetevendosjes/

.