Kurti Flet për Seksizmin dhe Abuzimin Brenda Vetëvendosjes

Në kohën kur janë shpërfaqur një mori problemesh brenda Lëvizjes Vetëvendosje, Kryetari i saj, Albin Kurti foli lidhur me një problem tjetër që sipas tij ekziston dhe nuk është diskutuar asnjëherë në publik.

Kurti në një intervistë ekskluzive për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, tha se brenda organizatës që e udhëheq ka pasur diskriminim, seksizëm, madje edhe ngacmim të grave anëtare.

“Numri i grave dhe vajzave që anëtarësohen në Vetëvendosje, votojnë për Vetëendosjen është shumë më i madh se sa i atyre që vijnë të punojnë për Vetëvendosjen. Një ndër shkaqet, nuk po them që është i vetmi është për shkak se në ambiente të Lëvizjes Vetëvendosje, nuk ka pasur fare imunitet ndaj shprehjeve të papranueshme dhe komunikimit shovinist mashkullor ndaj grave dhe vajzave, të cilët gratë dhe vajzat i kanë vënë në një lloj sikleti në ambiente pune të papërshtatshme për to”, tha Kurti.

Ai tha se do të mundohet ta zgjidhë këtë çështje që sipas tij tashmë është bërë normale për Lëvizjen Vetëvendosje.

“Kemi rastin kur vjen një vajzë në Vetëvendosje, vjen një herë, vjen dy herë, aty ka ca burra e djem që ju lshojnë fjalë dhe nuk vijnë më dhe kjo duhet të ndalohet në Lëvizjen Vetëvendosje. Prandaj na duhet kodi i sjelljes dhe na duhet një mentore për bindjen time, sidomos për vajzat që vijnë në tremujorin e parë kur duhet të familjarizohen me organizatën, ti njohin kolegët dhe detyrat e punës. Sepse LVV është sikur shoqëria jonë e në shoqërinë tonë ka shumë seksizëm i cili shndërrohet edhe në cënim të integritet moral, në abuzim ndaj grave dhe vajzave dhe kjo është aq shumë e përhapur edhe nuk vrehet, është natyralizuar, është normalizuar”, deklaroi Kurti.

Kurti po ashtu u zotua se do të arrihet barazi gjinore brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

“Gjithë këto sharje e fyrje që kanë ndodhë në Facebook, është interesant që kur bëhen ndaj grave nuk vërehen por kur fillojnë dhe shahen edhe burrat dhe djemtë atëherë kjo bëhet çështje. Le ta marrim qysh në fillim. Lëvizja Vetëvendosje njësoj sikur Kosova nuk mund të jetë vetëm e burrave dhe djemve por edhe grave dhe vajzave”, tha Kurti

Në këtë intervistë, Kurti flet  edhe lidhur me pakënaqësitë e shfaqura brenda partisë që e udhëheq si dhe adreson sharjet, dorëheqjet dhe linçimet të cilat janë bërë diskutime publike nga kjo parti që nga fundi i vitit të kaluar.

KALLXO.com kishte përmbledhur në një analizë disa nga të dorëhequrit nga Lëvizja Vetëvendosje.

http://kallxo.com/gjnk/fijet-e-keputura-te-kryesise-se-vv-se/

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: