Albin Kurti - Foto: Facebook

Kurti flet për ata që u larguan nga Vetëvendosje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se ka pjesëtarë të cilët janë larguar nga Lëvizja Vetëvendosje që e dinë se kanë vepruar gabim.

Në një intervistë në RTK, Kurti tha se VV nuk ka pasur ndarje ndërsa theksoi se nga 12 deputetët që ia kanë kthyer shpinën Vetëvendosjes ka që e dinë se kanë vepruar gabim.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pasur ndarje dhe nuk ka ndarje. Lëvizja Vetëvendosje është më unike dhe më harmonike se kurrë më parë. Është e vërtetë që 12 pjesëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje janë larguar nga Vetëvendosja por duhet ta dini se ata janë votuar si pjesëtarë të VV-së. Është në nderin e tyre kjo gjë. Kanë gabuar shumë dhe e di që ka prej tyre që  e dinë se kanë gabuar”, tha Kurti.

Ai shtoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk mban inat ndërsa shtoi se janë i vetmi subjekt i cili ka seriozisht luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kurti foli edhe për anëtarësimet në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Janë mbi dy mijë anëtarësime në dy muaj. Nuk kemi pasur deri më tani kësi mase të anëtarësimit. Lëvizjen Vetëvendosje po e nxjerrin shumë lart matjet. Ne kemi marrë informacion për matjet që bëhen dhe ata (Deputetët e Pavarur) janë nën nivelin e FER-it dikur. FER-i 2 janë më keq se FER-i 1. Më shumë ka një lloj fryrje të perceptimit se çka ndodhi në VV”, tha Kurti.