Albin Kurti - Kryetar i LVV

Kurti: Edita Tahiri kishte paralajmëruar Mogherinin se Serbia po synon ndryshimin e kufijve

Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, sot ka kujtuar letrën të cilën ish-kryenegociatorja me Serbinë, Edita Tahiri ia kishte dërguar Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federika Mogherini në të cilën kishte shkruar se Serbia po synon ndryshimin e kufijve rajonal.

Përmes rrjetit social Facebook, Kurti ka shkruar se e vërteta pas kësaj ideje mund të jetë vetëm më e keqe se sa që Tahiri e kishte shkruar në këtë letër para një viti e gjysmë.

“Aventura personale e presidentit të Kosovës gjithsesi nuk është edhe projekt personal. Ky projekt vjen nga Serbia e Rusia, pra nga veri-lindja, në kontrast me aleancën e veri-perëndimit, NATO-n”, ka shkruar ai.

Kurti mes tjerash ka cituar një pjesë të tekstit nga letra e Edita Tahirit dërguar Mogherinit, që mban datën 6 korrik 2017.

“Serbia gjithashtu u përpoq të luante disa skenarë të natyrës gjeopolitike duke promovuar idetë e ndryshimit të kufijve në rajon dhe këmbimin e territoreve, të cilat dukej se ishin ndikuar nga Rusia dhe ambiciet e saj për të rikthyer ndikimin e saj, të humbur pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Këto janë skenarë mjaft të rrezikshëm, të cilët kundërshtohen nga Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, duke qenë se pozicioni ynë i përbashkët strategjik është rreshtimi me botën Perëndimore dhe me komunitetin Euro-Atlantik”, citon Kurti.